ROBOTI INJORON URDHRAT E KANCELARIT SHOLC (SCHOLZ) NË PANAIRIN E HANOVERIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 22, 2024
- 1 min read
Hanover, Gjermani | Turneu inaugurues në panairin industrial të Hanoverit ishte një mundësi për kancelarin Olaf Sholc (Scholz) për të nënvizuar se sa inovative është ekonomia gjermane, veçanërisht në fushat futuriste si inteligjenca artificiale, një nga temat kryesore të ngjarjes.
Por kur kancelari gjerman u thirr të vepronte si zëdhënës, ndërveprimi me një robot nuk shkoi siç ishte planifikuar.
Kjo u raportua nga faqja e internetit e të përjavshmes gjermane Der Spiegel, duke specifikuar se në stendën e Siemens-it, një prej grupeve më të mëdha industriale gjermane, kancelari Sholc (Scholz) duhej të përshpejtonte një krah robotik duke përdorur komanda zanore.
“A mund ta rrisim shpejtësinë? Më shpejt. Edhe më shpejt”, kërkoi kancelari.
Megjithatë, fillimisht nuk ndodhi asgjë dhe vetëm pas disa tentativave u ekzekutua komanda.
Një anëtar i bordit të drejtorëve të Siemens, Cedrik Neike, e lehtësoi sikletin me një krahasim ad hoc, duke thënë: “Është si në politikë. Duhet pak më shumë kohë që të funksionojë; por kur funksionon, funksionon mirë.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































