PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS OSMANI DHE KRYEMINISTRI KURTI KANË KËRKUAR DREJTËSI NË 25-VJETORIN E MASAKRËS NË BURGUN E DUBRAVËS.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 22, 2024
- 2 min read
Prishtinë, Kosovë | Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë kërkuar drejtësi në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, në Komunën e Istogut.
Presidentja Osmani tha se pushteti gjenocidal i Serbisë vrau brenda burgut të Dubravës të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik.
“Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg”, shkroi presidentja Osmani.
Presidentja Osmani tha se bashkëndjejnë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i ka inkurajuar të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti nderoi dhe përkujtoi me homazhe të vrarët në mënyrë mizore në masakrën e Dubravës, duke thënë se nga 980 të grumbulluar në burgun e Dubravës, vetëm 771 i mbijetuan masakrës ndërsa të tjerët u masakruan dhe plagosën.
Ai theksoi se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes kombëtare profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi.
Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur.
“Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Të pranishëm në këto homazhe, organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin organizativ të ish të burgosurve politikë të Burgut të Dubravës, ishin:
Znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.
Z. Enver Dugolli, deputet në Kuvendin e Kosovës.
Z. Nait Hasani, ish i burgosur politik.
Z. Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur.
deputetë të Kuvendit.









___.png)


































