POLONI | PRESIDENTI KAROL NAUROKI (NAWROCKI) ANULOI UDHËTIMIN NË AFRIKË; LUFTË PËR PUSHTET NË GJYKATËN KUSHTETUESE.

Varshavë, Poloni | Presidenti Karol Nauroki (Nawrocki) ndërpreu një fluturim për në Senegal dhe u kthye në Varshavë të premten, ndërsa shpërtheu një luftë e madhe për pushtet mbi kontrollin e Gjykatës Kushtetuese të vendit.
Policia e Varshavës tha se trupa policore ishin dërguar në gjykatë pasi kishin marrë informacione rreth kërcënimeve të mundshme ndaj gjyqtarëve dhe stafit dhe një rreziku për prishje të rendit publik.
Policia tha se nuk kishte hyrë në ndërtesën e gjykatës dhe mohoi pretendimet se trupat policore e kishin sulmuar atë.
Tre veta u arrestuan pasi dyshohet se u ngjitën mbi gardhin që rrethonte gjykatën, ndërsa policia tha se ndaj saj ishin hedhur edhe objekte.
Të premten, në faqen e internetit të gjykatës u shfaqën urdhra që largonin përkohësisht nga detyrat e tyre presidentin e saj, Bogdan Suieczkuski (Swieczkowski), dhe nënkryetarin, Bartlomiej Soçanski (Sochanski).
Por llogaria zyrtare e gjykatës në rrjetin shoqëror virtual Iks (X) më vonë e hodhi poshtë vendimin si të paligjshëm, duke thënë se të dy mbetën në detyrë dhe duke e përshkruar përpjekjen për t'i larguar ata si një grusht shteti.
Konfrontimi e shtyu presidentin Nauroki (Nawrocki) të ndërpresë një vizitë zyrtare në Senegal, ndërsa avioni i tij ishte mbi Spanjën jugore.
“Në një moment të tillë, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po e ndërpres fluturimin për në Senegal. Po kthehem”, shkroi presidenti Nauroki (Nawrocki) në rrjetin shoqëror virtual Iks (X).
“Rivendosja e sundimit të ligjit është detyra jonë. Pas viteve të paligjshmërisë së PiS-it, është një proces i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm dhe kërkon veprim vendimtar. Nuk ka rrugë tjetër”.
Kështu shkroi kryeministri Donald Tusk në rrjetin shoqëror virtual Iks (X), duke iu referuar ish-partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Qeveria e kryeministrit Tusk dhe presidentit Nauroki (Nawrocki), i cili është aleat me partinë konservatore “PiS” e cila tani është në opozitë, janë përfshirë në një mosmarrëveshje mbi gjykatat dhe emërimet gjyqësore të Polonisë.
Udhëheqësit e subjektit politik “PiS” dhe politikanë të tjerë të opozitës mbërritën jashtë gjykatës dhe akuzuan qeverinë se po përpiqej të merrte kontrollin e institucionit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments