KONVERTIMI I TË BURGOSURVE POLITIKË NË KONTRIBUTE PËR FONDIN E LUFTËS TË PUTINIT.

Nga znj. Laura A. Janda.
Oslo, Mbretëria e Norvegjisë | Ekziston një plan në zhvillim e sipër për të shkëmbyer të burgosurit politikë të mbajtur në Rusi për lehtësim nga sanksionet ekonomike.
Në pamje të parë, kjo mund të duket si një fitore e të dyja palëve në rrugën drejt paqes në Ukrainë, por ky plan është thellësisht i gabuar.
Ai nuk merr parasysh faktorë të tillë si nxitja shtesë për Putinin për të marrë peng më shumë qytetarë, mënyra se si do të zgjidhen të burgosurit dhe mungesa e një destinacioni të qëndrueshëm për ata që lirohen.
Më e keqja nga të gjitha, ky plan është një ironi mizore që shkel mbi vetë bindjet e atyre që kundërshtojnë luftën, duke i shndërruar ato në donacione për të mbështetur vrasjet e mëtejshme të qytetarëve ukrainas nga Putini.
Gazeta “The Atlantic” (29 shtator 2026) ka raportuar se, me bekimin e Trampit (Trump), i dërguari special Xhon Koull (John Coale) i ka paraqitur Putinit një plan për të siguruar lirimin e të burgosurve politikë në Rusi në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.
Kjo vjen pas negociatave të suksesshme të Koullit (Coale) që çuan në lirimin e qindra të burgosurve politikë bjellorusë gjatë vitit të kaluar.
Koull (Coale) argumenton për planin e tij në gjuhën e një marrëveshjeje biznesi që do t'u sillte dobi të dyja palëve dhe do të hapte një rrugë për bashkëpunim që në fund të fundit mund të sillte fundin e luftës.
Gjithashtu në bord është fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Dmitri (Dmitry) Muratov, duke përsëritur një ide të tij të mëparshme për të shkëmbyer të burgosurit e luftës ukrainas me të burgosurit politikë rusë, një plan i dështuar që unë gjithashtu e kritikova.
Ndërsa qëllimi i lirimit të të burgosurve politikë është i lavdërueshëm, kjo situatë është shumë më e ndërlikuar nga sa mund të duket në shikim të parë.
Ka shumë çështje që nuk mund të adresohen lehtë, ndër të cilat; çfarë sinjali do t'i dërgojë një plan i tillë Putinit, si të vendoset se kush do të lirohet, çfarë do të ndodhë me ata që lirohen dhe çfarë do të thotë ky plan për vetë të burgosurit.
Nëse Putini mund të shkëmbejë të burgosur politikë (në fakt, njerëz që nuk i do ose për të cilët nuk interesohet, madje i konsideron armiq të tij) për përfitime monetare, ai:
a) Do t’i përdorë këto para për të rritur financimin për luftën e tij?
b) Do të stimulohet të arrestojë gjithnjë e më shumë njerëz për t'i shkëmbyer për gjithnjë e më shumë para.
Putinit nuk i intereson mirëqenia dhe të drejtat e njeriut të qytetarëve të tij, dhe numri që ai mund të përdorë si pengje është i kufizuar vetëm nga madhësia e popullsisë ruse (mbi 140 milionë, dhe këtu vini re se të burgosurit politikë në Rusi përfshijnë edhe fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë).
Nuk është e qartë saktësisht se sa të burgosur politikë vuajnë aktualisht në burgjet ruse. Vlerësimet variojnë nga disa mijëra në mbi dhjetë mijë.
Kremlini nuk mban një listë të të burgosurve të tij politikë.
Ndërsa disa akuzohen për krime që padyshim lidhen me bindjet politike, siç është diskreditimi i ushtrisë, shumë janë të burgosur për krime të tjera të shpikura, duke filluar nga trafikimi i narkotikëve deri te korrupsioni.
Organizatat e të drejtave të njeriut si Memorial dhe OVD-Info përpiqen të identifikojnë dhe mirëmbajnë bazat e të dhënave të rasteve të besueshme të persekutimit politik dhe pranojnë se informacioni i tyre mbulon vetëm një pjesë të numrit të përgjithshëm të të burgosurve politikë.
Çdo shkëmbim në këto rrethana do të lërë në mënyrë të pashmangshme shumë të burgosur politikë, ndoshta shumicën e tyre, ende në burg.
Ku do të shkojnë këta të burgosur kur të lirohen? Nëse lirohen në Rusi, ata nuk do të jenë vërtet të lirë, pasi mund të arrestohen përsëri.
Pra, a do të dërgohen në një vend tjetër? Në cilin vend?
Pas muajsh ose vitesh torturash dhe kushtesh çnjerëzore, të burgosurit politikë do të kenë nevojë për rehabilitim serioz dhe të qëndrueshëm psikologjik për të ndihmuar në riintegrimin.
Kush do të financojë dhe administrojë programet e nevojshme të mbështetjes?
Organizata bjelloruse e të drejtave të njeriut “Vjasna” ka nisur një përpjekje të madhe (vullnetare dhe të mbështetur nga donacionet) për të rivendosur të burgosurit politikë të liruar, pothuajse tërësisht në vende të tjera, pasi ish-të burgosurit e kanë të pamundur të gjejnë punë ose të rilidhen me rrjetet e tyre të miqve dhe kolegëve që kanë frikë të shoqërohen me ta.
Të burgosurit politikë janë njerëz që vënë jetën e tyre në rrezik për t'iu kundërvënë luftës.
Si do të ndihen ata që shërbejnë si gurë shahu në një marrëveshje biznesi midis Trampit (Trump) dhe Putinit, duke u shndërruar në thelb në thasë parash të mbështjellë me mish njerëzor, që do të financojnë më shumë vrasje në Ukrainë?
A do të konsultohet dikush me ta?
*Profesoreshë e rusishtes - UiT Universiteti Arktik i Norvegjisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit







Comments