PE-ja MIRATOI ME 367 VOTA PRO; 74 KUNDËR; 188 ABSTENIME RAPORTIN PËR TURQINË | SUNDIMI I LIGJIT + LIRITË DHE TË DREJTAT E NJERIUT NË REGRES; PROCESI I ANËTARËSIMIT NË BE NUK MUND TË RIFILLOJË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 14 hours ago
- 2 min read

Bruksel, Belgjikë | “Hendeku i Turqisë nga vlerat dhe interesat e BE-së po zgjerohet”, thekson raporti vjetor i Parlamentit Evropian (PE), i cili, u miratua sot me 367 vota pro, 74 kundër dhe 188 abstenime.
Raporti, i hartuar nga eurodeputeti socialist spanjoll Naço Sançez (Nacho Sánchez) Amor dhe i miratuar nga Parlamenti Evropian, thekson se negociatat për pranimin e Turqisë në BE kanë qenë të ngecura që nga viti 2018 për shkak të përkeqësimit të sundimit të ligjit dhe në rrethanat aktuale, procesi i pranimit të Turqisë në BE nuk mund të rinisë.
Në veçanti, në lidhje me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, Parlamenti Evropian flet për një situatë të tmerrshme dhe regres demokratik në Turqi gjatë vitit të fundit.
Ai shpreh gjithashtu keqardhjen e tij të thellë për faktin se, pavarësisht strategjisë së reformës gjyqësore, gjendja e pavarësisë së gjyqësorit në Turqi mbetet e mjerueshme, pas ndërhyrjes sistematike të qeverisë dhe instrumentalizimit politik të sistemit gjyqësor.
PE u bën thirrje autoriteteve turke t'i japin fund kufizimeve të ashpra aktuale mbi liritë themelore, në veçanti të shprehjes, tubimit dhe shoqërimit, si dhe sulmeve të vazhdueshme mbi të drejtat themelore të anëtarëve të opozitës, mbrojtësve të të drejtave të njeriut, avokatëve, sindikalistëve, anëtarëve të pakicave, gazetarëve, akademikëve, artistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, ndër të tjerë.
Ankaraja, në një reagim të ashpër përmes Ministrisë së Jashtme, e hodhi poshtë raportin dhe foli për akuza të shtrembëruara, të njëanshme dhe të pabaza kundër Turqisë dhe se ai minon objektivitetin e BE-së dhe funksionon si një mjet propagande i qarqeve armiqësore.
Pala turke shkon deri aty sa e akuzon Parlamentin Evropian si një institucion që u ofron terren propagande organizatave dhe grupeve terroriste që kanë nxitur ndjenja anti-turke.
Gjithashtu i kërkon Parlamentit Evropian të marrë përgjegjësitë e tij për ruajtjen e perspektivës së pranimit të Turqisë në BE, e cila, megjithatë, sipas raportit, nuk mund të rifillojë në rrethanat aktuale.
Ankaraja duket gjithashtu veçanërisht e bezdisur nga referencat për çështjen e Qipros, ku Parlamenti Evropian dënon vizitën e presidentit Rexhep Tajip Erdogan në territoret e pushtuara dhe i bën thirrje Turqisë të braktisë zgjidhjen me dy shtete dhe të kthehet në kuadrin e Kombeve të Bashkuara.
Lidhur me çështjen e Qipros, Parlamenti Evropian përsërit shqetësimin e tij të thellë në lidhje me të gjitha veprimet e njëanshme që synojnë konsolidimin në terren të ndarjes së përhershme të Qipros në vend të ribashkimit të saj dhe dënon, në këtë kontekst, vizitën e fundit të paligjshme të presidentit Erdogan në territoret e pushtuara të Republikës së Qipros, si dhe deklaratat e tij provokuese, të cilat, rrezikojnë përpjekjet e OKB-së, BE-së, bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe palëve të tjera të përfshira për të rifilluar negociatat thelbësore brenda kornizës së dakorduar.
Ky tension vjen për të konfirmuar distancimin gradual të Turqisë nga acquis evropiane, ndërkohë që zbulon edhe përçarjet e thella në marrëdhëniet me Brukselin, me të ardhmen e rrugës evropiane të Ankarasë tani të paqartë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments