PARLAMENTI GREK PRITET TË VOTOJË PRO PROJEKTLIGJIT QË LEGALIZON DITËN 13 ORËSHE TË PUNËS | PARTITË E MAJTA OPOZITARE DHE SINDIKATAT KOMUNISTE JANË KUNDËR TIJ.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Oct 15, 2025
- 2 min read

Athinë, Greqi | Parlamenti grek pritet të votojë nesër në mëngjes projektligjin e mbështetur nga qeveria konservatore e subjektit politik Nea Dimokratia (Demokracia e Re), i cili, legalizon ditën e punës 13-orëshe, në kushte të caktuara.
Enti mediatik grek “Ert News” e raporton këtë lajm.
Projektligji përcakton që punonjësit mund të punojnë 13 orë në ditë për të njëjtin punëdhënës (pra duke tejkaluar orarin e zakonshëm 8-orësh) për jo më shumë se 37 ditë në vit, sipas një marrëveshjeje vullnetare, me një rritje page prej 40%.
Aktualisht, ligji grek tashmë lejon mundësinë e punës 13 orë në ditë, por vetëm për dy punëdhënës të ndryshëm.
Diskutimi i projektligjit filloi dje në seancën plenare të Parlamentit, i shoqëruar nga një përplasje e nxehtë midis partisë në pushtet dhe opozitës.
Kreu i Pasok, Nikos Andhrullaqis (Androulakis), bëri thirrje që projektligji të tërhiqet, duke akuzuar qeverinë se dëshiron të shkatërrojë në mënyrë sistematike të drejtat e punëtorëve, ndërsa presidenti i Siriza-s, Sokratis Famellos, deklaroi se qeveria injoron realitetin e punëtorëve grekë, i cili, përfshin orë pune më të gjata se mesatarja e BE-së dhe paga më të ulëta që i vënë familjet në vështirësi.
Sindikatat që kundërshtojnë reformën kanë organizuar dy greva të përgjithshme këtë muaj, të fundit dje, për të kërkuar tërheqjen e projektligjit, i cili, sipas sindikatës komuniste “PAME”, legalizon skllavërinë moderne.
Duke folur në parlament, Ministrja e Punës Niki Kerameos e mbrojti iniciativën, duke shpjeguar se ajo ofron fleksibilitet më të madh për punonjësit duke rritur pagat, ndërkohë që plotëson edhe nevojat e bizneseve pa kompromentuar mbrojtjet ekzistuese të punëtorëve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)
















































Comments