top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PARTNERË TË RREZIKSHËM | PËRQAFIMI USHTARAK RUSI-KINË.

Writer: Agjencia Telegrafike Vox
Agjencia Telegrafike Vox
1 day ago
7 min read
PARTNERË TË RREZIKSHËM | PËRQAFIMI USHTARAK RUSI-KINË.

Nga z. Maksim Starçak (Maxim Starchak).

Otavë, Monarkia Kushtetuese e Kanadasë | Moska dhe Pekini nuk kanë ndërtuar një komandë të përbashkët ushtarake hapësinore dhe nuk kanë nevojë për një të tillë.


Bashkëpunimi përzgjedhës (selektiv) në paralajmërimin e raketave, navigimin, mbrojtjen ajrore dhe raketore, dhe potencialisht operacionet kundërhapësinore, tashmë po i bën të dy vendet më të vështira për t'u penguar dhe fuqinë hapësinore të ShBA-ës më të cenueshme.


Nuk ka prova të një komande të kombinuar hapësinore ruso-kineze, asnjë forcë të konfirmuar të përbashkët anti-satelitore, asnjë rrjet të integruar paralajmërues për raketa të krahasueshëm me NORAD-in dhe asnjë marrëveshje të njohur sipas së cilës një sulm ndaj aseteve hapësinore të një vendi do ta detyronte tjetrin të reagonte.


Megjithatë, Moska dhe Pekini po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë pikërisht në fushat ku koordinimi i kufizuar mund të prodhojë efekte strategjike joproporcionale.


Marrëdhënia e tyre kuptohet më së miri jo si një aleancë ushtarake në zhvillim, por si një integrim strategjik selektiv.


Duke përdorur këtë qasje, ato shkëmbejnë gjithnjë e më shumë teknologji, përvojë operacionale, infrastrukturë dhe koncepte strategjike të hartuara për të zvogëluar avantazhet ushtarake të ShBA-ës.


Stërvitjet e tyre të përbashkëta deri më tani kanë treguar ndërveprim të kufizuar, por edhe një koordinim modest mund të ndërlikojë planifikimin e mbrojtjes së ShBA-ës dhe NATO-s.


Shembulli më i qartë erdhi në tetor 2019, kur Vladimir Putini pranoi publikisht se Rusia po e ndihmonte Kinën të zhvillonte një sistem paralajmërimi të hershëm për sulme raketore.


Ai e përshkroi teknologjinë si diçka që vetëm Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e zotëronin në atë kohë dhe tha se ndihma ruse do të përmirësonte ndjeshëm aftësitë mbrojtëse të Kinës.


Paralajmërimi i raketave qëndron afër zemrës së parandalimit bërthamor.


Ai i lejon një shteti të zbulojë lëshimet, të vlerësojë shkallën dhe drejtimin e një sulmi dhe t'u japë udhëheqësve politikë më shumë kohë për të vendosur nëse dhe si të reagojnë.


Një arkitekturë e sofistikuar përfundimisht kombinon radarët tokësorë, sensorët infra të kuq në hapësirë, komunikimet, përpunimin dhe komandën dhe kontrollin bërthamor.


Ndihma ruse mund të përshpejtojë aftësitë kineze të paralajmërimit për raketa, si në tokë ashtu edhe në hapësirë, dhe të përmirësojë mbrojtjen raketore të Pekinit.


Moska duket se po e ndihmon Pekinin të ndërtojë aftësitë kineze, në vend që të bashkojë rrjetet paralajmëruese ruse dhe kineze.


Integrimi në kohë reale do ta çonte marrëdhënien dukshëm më pranë territorit të aleancës.


Megjithatë, vetë transferimi na tregon diçka të rëndësishme; Rusia ka qenë e gatshme të ndajë teknologjinë që lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën e armëve bërthamore të Kinës.


Rusia dhe Kina kryen ushtrime të përbashkëta kompjuterike për mbrojtjen ajrore dhe raketore në vitet 2016 dhe 2017.


Këto përfshinin përgjigje ndaj sulmeve balistike dhe me raketa lundrimi dhe kërkonin të paktën njëfarë shkëmbimi qasjesh për zbulimin, komandën, caktimin e objektivave dhe operacionet mbrojtëse.


Mbrojtja nga raketat balistike është një nga komponentët e bashkëpunimit dypalësh hapësinor që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen, megjithëse ushtrimet nuk vërtetojnë ekzistencën e një arkitekture të integruar të mbrojtjes nga raketat ruso-kineze.


Të dyja e shohin mbrojtjen raketore amerikane jo thjesht si mbrojtje kundër sulmit, por si një element të mundshëm të një strategjie më të gjerë amerikane për kufizimin e dëmeve.


Sipas tyre, sistemet më të forta mbrojtëse mund të minojnë besueshmërinë e hakmarrjes bërthamore ruse ose kineze duke kapur forcat që i mbijetojnë një sulmi të parë.


Projekti i Kupolës së Artë i Danlld Trampit (Donald Trump) e ka përforcuar këtë konvergjencë.


Një deklaratë e përbashkët ruso-kineze e vitit 2025 mbi stabilitetin strategjik argumentoi se Kupola e Artë kërcënonte marrëdhënien midis forcave strategjike sulmuese dhe mbrojtëse dhe do të përshpejtonte vendosjen e armëve dhe sistemeve të përgjimit në hapësirë.


Argumenti u përsërit në samitin Shi (Xi)-Putin në maj.


Nëse Rusia dhe Kina e shohin gjithnjë e më shumë paralajmërimin për raketat amerikane, gjurmimin e satelitëve, mbrojtjen nga raketat, sulmin konvencional me rreze të gjatë veprimi dhe forcat bërthamore si pjesë të një arkitekture të vetme strategjike, kjo krijon stimuj të fuqishëm për të bashkëpunuar në teknologjitë e afta si për të mbrojtur sistemet e tyre ashtu edhe për të kërcënuar ato të Amerikës.


Rusia dhe Kina kanë kaluar vite duke përmirësuar përputhshmërinë midis sistemeve të tyre të navigimit satelitor GLONASS dhe BeiDou, duke shkëmbyer informacion monitorimi dhe duke zhvilluar infrastrukturën tokësore.


Në nëntor 2025, të dyja qeveritë nënshkruan një plan të ri bashkëpunimi për navigimin satelitor midis Rusisë dhe Kinës për vitet 2026-2030.


Dokumentet zyrtare theksojnë përdorimet paqësore dhe civile, dhe do të ishte gabim të paraqitej marrëveshja si një rrjet i përbashkët i konfirmuar i navigimit ushtarak.


Sistemet botërore të navigimit mbështesin armë precize, avionë, sisteme pa pilot, operacione detare, kohëmatje, komunikime dhe logjistikë ushtarake.


Qasja në një arkitekturë alternative të pozicionimit dhe kohëmatjes e bën humbjen ose degradimin e një sistemi kombëtar më pak katastrofik.


Bashkëpunimi mund t’i lejojë Rusisë ose Kinës të ruajnë aksesin në një sinjal alternativ navigimi nëse sistemi i tyre mohohet ose degradohet.


Në të njëjtën kohë, ndërveprimi civil i GNSS nuk është unik - sisteme të tjera botërore të navigimit bashkëpunojnë gjithashtu në nivelin e sinjalit civil.


Pra, kërcënimi nuk është se BeiDou dhe GLONASS janë bërë papritmas një konstelacion ushtarak.


Është se Rusia dhe Kina po i zvogëlojnë gradualisht pikat e vetme të dështimit në infrastrukturën thelbësore për luftën moderne.


Një hetim i korrikut nga media e pavarur ruse, “The Insider”, së bashku me partnerët evropianë të medias, raportoi mbi dokumente nga forume sekrete ushtarako-teknike ruso-kineze.


Më i habitshmi ishte një propozim kinez i diskutuar në një forum në nëntor 2023 në Guangzhou për kundërshtimin e Starlink-ut.


Sipas dokumenteve, koncepti ndoqi një qasje të gradualizuar; presion rregullator dhe diplomatik, luftë elektronike, operacione kibernetike dhe në fund të fundit sulme fizike kundër konstelacionit satelitor.


Fleta e fakteve Kinë-Rusi e USCC-së së Kongresit thotë se dokumentet e rrjedhura zbuluan një plan përshkallëzimi të hartuar nga Kina.


Ajo paralajmëron se bashkëpunimi më i thellë hapësinor mund të përmirësojë ndërgjegjësimin dhe komunikimet në fushën e betejës për Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që degradon komunikimet satelitore në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj.


Prandaj, një rrjet i përhapur në orbitën e ulët të tokës (LEO) kërkon një qasje të ndryshme; të sulmojë spektrin, terminalet, softuerin, infrastrukturën tokësore, lidhjet e të dhënave ose shumë satelitë njëkohësisht.


Kina tani zotëron një bazë më të fortë industriale hapësinore.


Pekini mund të financojë dhe prodhojë konstelacione të mëdha në një shkallë që Moska nuk mund ta arrijë më lehtë.


Lufta në Ukrainë i ka dhënë Moskës vite përvojë praktike kundër komunikimeve të mbështetura nga satelitët, dronëve, pamjeve komerciale, armëve precize dhe sistemeve elektronike perëndimore.


Rusia gjithashtu është përpjekur vazhdimisht të prishë Starlink-un në fushën e betejës.


Për Kinën, e cila studion luftën moderne duke pasur parasysh një konflikt të mundshëm në Tajvan, kjo përvojë është jashtëzakonisht e vlefshme.


Vlerësimi i ri i USCC-së kap mirë ekuilibrin në ndryshim; Rusia dikur armatoste Kinën; gjithnjë e më shumë, teknologjia dhe leva ekonomike rrjedhin në drejtim të kundërt, ndërsa Ukraina i ofron ushtrisë kineze një laborator në botën reale nga i cili mund të mësojë.


Marrëdhënia që rezulton është shumë plotësuese. Asnjëra palë nuk ka nevojë të transferojë gjithçka.


Edhe shkëmbimet përzgjedhëse (selektive) mund të mbyllin dobësitë në arkitekturën ushtarake të palës tjetër.


Ato nuk ndajnë një kulturë të përbashkët strategjike dhe ushtrimet e tyre ushtarake shpesh demonstrojnë më bindshëm harmoni politike sesa ndërveprim të vërtetë.


Por një aleancë hapësinore nuk është e nevojshme për të kërcënuar interesat e ShBA-ës.


Të dyja zgjerojnë aftësitë e mbikëqyrjes së hapësirës. Megjithatë, çdo hap e bën secilin vend disi më të vështirë për t'u çaktivizuar dhe epërsinë amerikane në hapësirë ​​disi më pak të sigurt.


Evropa ende varet shumë nga Shtetet e Bashkuara për funksionet më të sofistikuara ushtarake hapësinore; ISR-në hapësinore, paralajmërimin e raketave, ndërgjegjësimin e lartë për situatën në hapësirë ​​dhe lëshimin e raketave.


Anëtarët evropianë të NATO-s vazhdojnë të mbështeten te Shtetet e Bashkuara si ofruesi i informacionit të paralajmërimit të hershëm orbital përmes sistemeve, përfshirë SBIRS.


Kjo do të thotë që një sulm i suksesshëm rus ndaj infrastrukturës hapësinore ushtarake amerikane në një luftë evropiane nuk do të prekte vetëm forcat amerikane.


Nëse teknologjia, të dhënat, komponentët ose kërkimi kinez do t'i bënin operacionet ruse të kundërhapësirës më të afta, Pekini mund të ndryshonte ekuilibrin ushtarak evropian pa qëlluar asnjë të shtënë.


Nuk dihet ndonjë shkëmbim i përhershëm i të dhënave të synimit në satelitët amerikanë.


Dhe nuk ka prova që konceptet ruso-kineze të Starlink-ut kanë përparuar nga diskutimi në vendosje.


Fshehtësia e bën marrëdhënien jashtëzakonisht të vështirë për t'u vlerësuar; disa marrëveshje mund të përmbajnë më pak informacion nga sa sugjerojnë njoftimet publike, ndërsa bashkëpunimi i klasifikuar mund të jetë gjithashtu shumë më i thellë nga sa mund ta shohin të jashtmit.


Tre zhvillime do të shënonin një ndryshim cilësor.


E para do të ishte dëshmi se sistemet ruse dhe kineze të paralajmërimit të raketave shkëmbejnë të dhëna operacionale në kohë reale.


E dyta do të ishte integrimi i rrjeteve të tyre të mbikëqyrjes hapësinore, i mjaftueshëm për të gjeneruar informacion të përbashkët për ndjekjen ose synimin e anijeve kozmike ushtarake perëndimore.


E treta do të ishte testimi i përbashkët i sistemeve elektronike, kibernetike ose fizike të projektuara për të sulmuar konstelacionet e përhapura LEO.


Secila prej këtyre do ta çonte marrëdhënien përtej ndarjes së teknologjisë drejt një arkitekture operacionale ushtarake-hapësinore.


Kjo pikë nuk është arritur ende.


Rusia dhe Kina nuk kanë nevojë për një aleancë formale për të sfiduar Perëndimin në hapësirë.


Ato vetëm duhet ta bëjnë njëra-tjetrën më rezistente ndaj fuqisë së ShBA-ës - ndërkohë që bëhen gjithnjë e më të mira në sulmin ndaj sistemeve nga të cilat varet kjo fuqi.


Ato tashmë po i bëjnë të dyja.


*Z. Maksim Starçak (Maxim Starchak) është një ekspert i pavarur për politikën bërthamore, armët strategjike dhe industrinë e mbrojtjes. Bashkëpunëtor në Qendrën për Politikë Ndërkombëtare dhe të Mbrojtjes të Universitetit të Mbretëreshës dhe Korrespondent për Rusinë për revistën European Security & Defence.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page