top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KONSENSUSI I SIGURISË NË GJERMANI SULMOHET NGA E MAJTA DHE E DJATHTA.

Writer: Agjencia Telegrafike Vox
Agjencia Telegrafike Vox
12 hours ago
5 min read

Nga z. Mikita (Mykyta) Vorobiov*.

Kiev, Ukrainë, | Muajt e fundit kanë sjellë sukses zgjedhor në Gjermani për tre parti në ekstremet populiste që sfidojnë politikën aktuale të sigurisë dhe të jashtme të vendit, megjithëse për arsye të ndryshme; AfD, BSW dhe Die Linke.


A mund të paraqesin ato një sfidë për tetë dhjetëvjeçarë konsensusi të gjerë evropian për sigurinë?


Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, mbështetja zgjdhore e së cilës u rrit në nivele rekord në zgjedhjet e fundit në shtetet lindore gjermane të Meklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt, po shtyn për një qëndrim më të butë ndaj Moskës; grupi parlamentar i saj në Bundestag ka bërë thirrje që të ndalen dërgesat e armëve gjermane në Ukrainë dhe që të hiqen sanksionet ndaj Rusisë si pjesë e bisedimeve të paqes.


Politikanët e AfD-së janë përfshirë gjithashtu në polemika që lidhen me udhëtimin e tyre në Rusi.


Në të njëjtën kohë, Aleanca populiste për Drejtësi Sociale dhe Arsye Ekonomike (BSW), e cila bën thirrje për një rikthim në bashkëpunim me Rusinë dhe një fund të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, kaloi pragun prej 5% në Saksoni-Anhalt dhe mbështeti zgjedhjen e një politikani të AfD-së si president të parlamentit të shtetit.


Zgjedhjet e fundit në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, rezultuan në një fitore për partinë e ekstremit të majtë Die Linke.


Ndërsa Die Linke dënon luftën e Rusisë në Ukrainë, ajo mban një qëndrim aktiv kundër furnizimit me armë të Ukrainës, si dhe kundër programit të rimilitarizimit të Gjermanisë dhe përfshirjes në NATO.


Midis partive kryesore politike, tre forcat kryesore të qendrës, CDU, SPD dhe të Gjelbrit, favorizojnë një drejtim politik gjerësisht pro-ukrainas dhe riarmatim të miratuar nga qeveria aktuale.


Megjithatë, fitimet e fundit zgjedhore për partitë që e sfidojnë këtë i kanë vënë forcat kryesore nën presion.


Të marra së bashku, këto tendenca, së bashku me intensifikimin e sulmeve hibride ruse ndaj Gjermanisë, paraqesin rreziqe serioze për një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Evropë.


Që nga viti 2022, qeveria gjermane ka ndjekur riarmatim dhe një qëndrim shumë më të fortë ndaj Rusisë, ndërkohë që është bërë furnizuesi më i madh ushtarak i Ukrainës.


Këtë vit, kabineti miratoi një projektbuxhet që parashikon shpenzime për mbrojtjen prej gati 140 miliardë eurosh (156 miliardë dollarë) në vitin 2027, pothuajse 30% mbi shifrën e vitit 2026.


Në gusht, kabineti miratoi gjithashtu plane për t'u dhënë shërbimeve të inteligjencës vendase dhe të huaja më shumë kompetenca për të hakuar komunikimet dhe për të ndërprerë operacionet e kundërshtarëve të huaj për t'iu kundërvënë një kërcënimi në rritje nga sulmet kibernetike dhe hibride.


Megjithatë, nëse partitë kryesore humbasin pushtetin federal ndaj të djathtës ekstreme, ka shqetësime se si mund të përdoren këto aftësi të zgjeruara.


Kjo i bën disa nervozë, jo më pak fqinjë me një përvojë të zymtë të fuqisë ushtarake gjermane.


Ministri i Jashtëm polak Radoslau (Radosław) Sikorski paralajmëroi se fitimet zgjedhore të AfD-së mund ta shndërrojnë forcimin ushtarak të Berlinit në një rrezik sigurie për Evropën, edhe pse Varshava mbështet një ushtri më të fortë gjermane.


E djathta ekstreme dhe e majta populiste e sfidojnë hapur këtë politikë sigurie, siç shihet në Saksoni-Anhalt.


Më 14 tetor, parlamenti i shtetit miratoi një mocion që kërkonte ndërprerjen e menjëhershme të ndihmës ushtarake gjermane dhe mbështetjes financiare jo-humanitare për Ukrainën, si dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.


Mocioni u miratua gjatë një seance të posaçme parlamentare me votat e AfD-së dhe BSW-së.


Siç e tha politologu Armin Pfahl-Traughber për DW: “Toka e tyre e përbashkët qëndron në refuzimin e establishmentit politik, qëndrimin e tyre pro-Putin dhe kritikat e tyre ndaj mbështetjes së Gjermanisë për Ukrainën”.


Meqenëse parlamentet e shteteve nuk mund të përcaktojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë, mocioni është simbolik.


Qeveritë e shteteve marrin pjesë në Bundesrat (Këshilli Federal), ku mund të paraqesin iniciativa; megjithatë, edhe nëse aleanca AfD/BSW, miqësore me Rusinë, që qëndron pas mocionit, formon një qeveri shtetërore, ajo do të kontrollonte vetëm një nga 16 delegacionet shtetërore në Bundesrat.


Implikimet praktike të drejtpërdrejta të mocionit janë kështu të kufizuara.


Në të njëjtën kohë, ky mocion mund të shihet si i synuar për të sfiduar diskursin kryesor në vend që të ndikojë në ndryshime të menjëhershme praktike.


Arndt Freitag von Loringhoven, ... ish-diplomat gjerman dhe profesionist i inteligjencës, sugjeron që, ndërsa këto parti kanë mundësi të kufizuara për të ndryshuar politikën e sigurisë në një afat të shkurtër, ngritja e tyre po krijon presion të brendshëm brenda CDU-së qeverisëse.


Disa udhëheqës rajonalë ndihen të detyruar të sfidojnë qëndrimin e Kancelarit ndaj Rusisë dhe Ukrainës për të kënaqur elektoratin e tyre (edhe nëse përfaqësuesit lokalë të CDU-së e dënuan mocionin e Saksonisë-Anhaltit).


Ekziston rreziku që nëse retorika simpatike rritet në nivel shtetëror, kjo mund t'i normalizojë këto argumente në diskursin publik dhe kështu të krijojë terren për afrim me Rusinë.


Politika gjermane e sigurisë sfidohet jo vetëm nga e djathta, por edhe nga e majta.


Në janar, hyri në fuqi një ligj që prezanton një sistem të ri të shërbimit ushtarak, me qëllim rekrutimin e më shumë vullnetarëve.


Të rinjve që mbushin 18 vjeç u janë dërguar pyetësorë, duke u kërkuar informacione vetjake dhe gatishmërinë e tyre për të shërbyer.


Plotësimi i pyetësorit është i detyrueshëm për burrat dhe vullnetar për gratë; ekzaminimet e detyrueshme mjekësore për burrat e lindur në vitin 2008 e më vonë janë planifikuar të fillojnë në korrik 2027.


Vetë shërbimi ushtarak mbetet vullnetar.


Qasja e re ka shkaktuar protesta të të rinjve kundër rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe perspektivës së rekrutimit ushtarak.


Sipas organizatorëve, rreth 45000 njerëz iu bashkuan një Greve Shkollore Kundër Rekrutimit më 25 shtator.


Greva u mbështet si nga Die Linke ashtu edhe nga BSW-ja.


Me fitoren e fundit zgjedhore të Die Linke-s në Berlin, kundërshtimi ndaj rekrutimit dhe shpenzimeve ushtarake mund të fitojë një terren më të madh politik.


Këto tendenca, të mbështetura nga partitë e krahut të majtë, janë shqetësuese pasi ato sfidojnë masat që janë qendrore për zgjerimin ushtarak të Gjermanisë.


Politika e sigurisë së vendit dhe kursi i saj gjeopolitik si aleat i Ukrainës sfidohen kështu nga forcat radikale si në të majtë ashtu edhe në të djathtë.


Ndërsa zgjedhjet nuk priten deri në fillim të vitit 2029, rritja e partive ekstreme dhe miqësore me Kremlinin nuk mund të injorohet.


Von Loringhoven sugjeron një qasje me dy hapa që partitë kryesore mund të miratojnë për të përballuar këto sfida.


E para përfshin kalimin nga një qëndrim reaktiv në një qëndrim ofensiv ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e parandalimit duke sinjalizuar se Gjermania do të dyfishojë mbështetjen për Ukrainën në vend që t'i nënshtrohet presionit rus.


E dyta është ekuilibri diplomatik; ruajtja e dialogut me Rusinë shërben gjithashtu si një mjet i brendshëm për t'iu kundërvënë akuzave për braktisjen e diplomacisë, të cilat partitë radikale i shfrytëzojnë.


Takimi i fundit dypalësh midis ministrit të jashtëm Johann Vadeful (Wadephul) dhe atij rus Sergi (Sergey) Lavrov, i pari midis ministrave të jashtëm të vendeve që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës, mund të shihet si një hap në këtë drejtim.


Ajo që ka edhe më shumë rëndësi është parandalimi i një përçarjeje brenda partive kryesore mbi elementët thelbësorë të politikës së sigurisë nën presionin e së djathtës dhe të majtës ekstreme.


*Z. Mykyta (Nikita) Vorobiov është analist politik dhe i inteligjencës e fokusuar në politikën, sigurinë dhe fushatat informative të Rusisë dhe Evropës Lindore.


Ai ka një diplomë Bachelor në Etikë dhe Politikë nga Bard College Berlin, ku hulumtimi i tij u përqendrua në propagandën vizuale ruse, dhe një diplomë Master në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore nga Universiteti i Oksfordit, ku ai shqyrtoi se si shteti rus përdor diskursin politik, median dhe propagandën për të legjitimuar mobilizimin e të burgosurve.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Recent Posts

See All
MINISTRIA E KONTROLLIT E RUSISË.

Nga z. Andrei Soldatov dhe znj. Irina Borogan. Londër, Mbretëria e Bashkuar | Këto kanë qenë vite të mira për sundimtarët e sigurisë të Putinit. Lufta kundër Ukrainës ka licencuar rritjen e represioni

 
 
 
RUSIA; REVOLTA E SHKRIMTARËVE TË LETRAVE.

Nga z. Mikhail Komin. Uashington, Amerikë | Në ditët rreth 30 tetorit, Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Represionit Politik në Rusi, janë planifikuar të paktën 160 tubime për të përkujtuar dhe mbë

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page