ENTI MEDIATIK “POLITICO”: MINISTRAT E ÇËSHTJEVE EVROPIANE DO TË TAKOHEN NË LVIV PËR TË MBËSHTETUR ANËTARËSIMIN E UKRAINËS NË BASHKIMIN EVROPIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Nov 11
- 2 min read

Bruksel, Mbretëria e Belgjikës | Ministrat e çështjeve evropiane nga shtetet anëtare të BE-së do të takohen më 10 dhe 11 dhjetor në Lviv, në Ukrainën perëndimore, për një samit informal kushtuar progresit të Kievit në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.
Kështu raporton enti mediatik “Politico”, duke cituar një ftesë të dërguar dje në kryeqytetet evropiane në emër të Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së dhe Zv/Kryeministrit ukrainas Taras Kaçka (Kachka).
Dokumenti thotë se takimi do të ofrojë një mundësi për të vlerësuar rezultatet e arritura, për të ndarë reflektime mbi hapat e mëtejshëm dhe për të riafirmuar mbështetjen politike për përpjekjet e Ukrainës për reforma dhe integrim.
Duke e thirrur samitin direkt në Ukrainë, theksojnë organizatorët, qeveritë evropiane synojnë të dërgojnë një mesazh të qartë dhe të bashkuar politik; e ardhmja e Ukrainës është brenda Bashkimit Evropian.
Takimi do të zhvillohet në një kohë kur procesi i anëtarësimit po pengohet nga vetoja e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili, kundërshton hapjen zyrtare të negociatave.
Që kur iu dha statusi i kandidatit në vitin 2022, Kievi ka nisur reforma të rëndësishme në ekonomi, gjyqësor dhe politika antikorrupsion, por opozita në Budapest - e cila pretendon se Ukraina nuk është gati - vazhdon të bllokojë përparimin në negociata, të cilat kërkojnë unanimitet.
Bashkimi Evropian po vlerëson mundësitë për të kapërcyer ngërçin.
Sipas dy zyrtarëve evropianë të cituar nga enti mediatik “Politico”, midis opsioneve që po diskutohen është një qasje e ashtuquajtur ngarkim paraprak, e cila, do t'i lejonte Ukrainës dhe Moldavisë të fillonin punën mbi përmbajtjen e kapitujve negociues edhe pa hapjen formale të procesit.
Kjo do të përshpejtonte integrimin nëse vetoja e Hungarisë hiqet në të ardhmen.
Konteksti politik i brendshëm në Hungari mund të hapë skenarë të rinj.
Partia Fidesz e Kryeministrit Viktor Orban po bie në sondazhe përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në muajin prill të vitit 2026, ndërsa aleanca opozitare Tisza, e udhëhequr nga pro-evropiani Petër Maigar (Péter Magyar), po fiton mbështetje.
Ndërkohë, Brukseli është ende duke kërkuar marrëveshje për çështje të tjera kyçe që lidhen me mbështetjen për Kievin, siç është propozimi për të përdorur asetet e ngrira ruse për të garantuar një kredi prej 140 miliardë eurosh, aktualisht e bllokuar nga opozita belge.
Në këtë kontekst, samiti i Lvivit synon të konsolidojë mbështetjen politike për Ukrainën midis shumicës së shteteve anëtare, pa hequr pengesat ligjore të vendosura nga parimi i unanimitetit.
“Ideja është të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur pa pasur nevojë të presim”, tha një nga zyrtarët e Bashkimi Evropian të përfshirë në përgatitje.
“Pastaj, sapo Hungaria të mos ketë më veton e saj, ne mund të vazhdojmë pa vonesë”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, duke komentuar ditët e fundit mbi raportin pozitiv të Komisionit Evropian mbi progresin e reformave, përsëriti se Ukraina do të bëhet anëtare e plotë në mënyrë të drejtë, kur të jetë mbrojtur dhe kur lufta të ketë mbaruar.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments