ASAMBLEJA PARLAMENTARE E NATO-s MIRATOI REKOMANDIMIN PËR AVANCIM TË STATUSIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NGA ANËTARE VËZHGUESE NË ANËTARE TË ASOCUAR.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 27, 2024
- 1 min read
Sofje, Bullgari | Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese, në anëtare të asocuar.
Shumica e vendeve votuan pro, një votë ishte kundër, ndërsa 14 vende tjera kanë abstenuar - në takimin e Asamblesë - që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Një ditë më parë delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta.
Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues të posaçëm (specialë) të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë - në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Republikës së Kosovës prej vitesh është delegacion vëzhgues me dy ulëse.
Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës i Republikës së Kosovës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


































