SUDAN | PLANI RUS I NDËRTIMIT TË BAZËS NË DETIN E KUQ U PEZULLUA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 31, 2025
- 3 min read

Sudan | Kryetari i Këshillit Sovran të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, u pohoi autoriteteve të Arabisë Saudite se planet për të ndërtuar një bazë ruse në Detin e Kuq janë pezulluar përkohësisht.
Sipas burimeve ushtarake të cituara nga enti mediatik “Sudan Tribune”, gjatë bisedimeve në fillim të këtij muaji me Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, Kryetari al-Burhan përsëriti angazhimin e tij për të ngrirë çdo përpjekje për të krijuar një bazë ruse në Detin e Kuq, ndërsa njoftoi masa të reja për të përgatitur vendin për fazën tjetër pas përfundimit të luftës, pa dhënë detaje mbi natyrën e këtyre masave.
Disa media, përfshirë entin mediatik “Wall Street Journal”, kanë raportuar më parë se qeveria sudaneze, e udhëhequr nga Kryetari al-Burhan, i ka ofruar Rusisë një marrëveshje 25-vjeçare për të krijuar bazën e saj të parë detare afrikane në Portin e Sudanit ose në një vend tjetër përgjatë bregdetit sudanez.
Projekti e ka origjinën nga një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2017 nën regjimin e Presidentit të atëhershëm Omar al-Bashir, megjithatë që atëherë ka pësuar një sërë vonesash dhe rishikimesh pas përmbysjes së Presidentit al-Bashir në vitin 2019 dhe gjatë periudhës së tranzicionit që pasoi, për shkak të presionit ndërkombëtar dhe ndryshimeve të shpejta politike brenda Sudanit.
Disa vende të Detit të Kuq vazhdojnë të kundërshtojnë praninë ushtarake të Rusisë në rajon, të mbështetura nga presioni i fortë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mbi qeverinë sudaneze për të bllokuar bazën.
Muajin e kaluar, ambasadori rus në Khartum, Andrei Çernovol (Chernovol), i tha agjencisë ruse të lajmeve “RIA Novosti” se ndërtimi i bazës detare ruse në Sudan ishte pezulluar për shkak të konfliktit të armatosur që po vazhdon në vend.
Ai kujtoi se Moska dhe Khartumi kishin nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare në vitin 2020 që parashikonte krijimin e një pike mbështetjeje logjistike për Marinën Ruse në bregdetin e Detit të Kuq të Sudanit.
Marrëveshja 25-vjeçare autorizoi vendosjen e deri në 300 vetave personel ushtarak rus dhe katër anijeve luftarake në këmbim të furnizimit me armë dhe pajisje ushtarake në Sudan.
Megjithatë, dokumenti nuk është ratifikuar ende.
Pas përmbysjes së Presidentit Omar al-Bashir në vitin 2019 dhe grushtit të shtetit pasues në vitin 2021, procesi i ratifikimit mbeti i bllokuar.
Tensionet e vazhdueshme midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) e ndërlikuan më tej situatën.
Autoritetet sudaneze kanë treguar vazhdimisht se organet aktuale legjislative nuk kanë mandatin e nevojshëm për të miratuar marrëveshjen.
Plani për të ndërtuar një bazë ruse në bregdetin e Detit të Kuq të Sudanit ka qenë prej kohësh objekt spekulimesh të përhapura.
Deti i Kuq është një rrugë strategjike jetësore për tregtinë globale, si dhe një pikë e nxehtë gjeopolitike.
Për Rusinë, në veçanti, vendosja e një pranie në rajon do të ishte thelbësore, veçanërisht pas përmbysjes së regjimit sirian të diktatorit Bashar al-Assad (aleat i ngushtë i Moskës) dhe rrezikut që rezulton nga humbja e një fortese strategjike si baza ushtarake në Tartus, e cila, për vite me radhë ka qenë pika kryesore e Rusisë në Mesdhe.
Duke pasur parasysh këtë objektiv, në muajt e fundit zyrtarët rusë kanë vizituar qytetin e Port Sudanit, i cili, është bërë kryeqyteti de facto i Sudanit që nga fillimi i luftës, në një përpjekje për të forcuar lidhjet me autoritetet sudaneze.
Në fakt, nëse në fillim të armiqësive Kremlini mbështeti Forcat Siguruese të Gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo “Hemeti”, me të cilin, ka kultivuar lidhje të ngushta për vite me radhë në shfrytëzimin e minierave të arit në Darfur, në muajt e fundit qëndrimi i Moskës - i cili nuk është bërë kurrë zyrtar - duket se ka ndryshuar, duke lëvizur gradualisht drejt një mbështetjeje më të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF), pikërisht në funksion të interesave strategjike të Rusisë në Detin e Kuq.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments