SOT NË TIRANË MBAHET TAKIMI I MINISTRAVE TË JASHTËM TË VENDEVE TË PROCESIT TË BERLINIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Oct 6, 2023
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Sot në Tiranë do të mblidhen ministrat e Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit. Takimi i tyre do t’i paraprijë Samitit të Procesit të Berlinit, i cili, do të mbahet në Tiranë më 16 tetor 2023. Takimi i sotëm do të drejtohet nga ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në takim do të marrin pjesë komisionari për Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi, ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit, konkretisht Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të atij rajoni në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjermane: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon, si dhe të rrisim bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme.” Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare, dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor. Agjenda e ndërlidhjes së Procesit të Berlinit i referohet shkëmbimeve humane, bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimit politik të rajonit. Në kuadër të Procesit të Berlinit janë krijuar: Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), dhe Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF). Gjithashtu, krijimi i Korridoreve të gjelbra dhe Marrëveshja Roaming janë arritje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit. Krahas takimeve të zyrtarëve më të lartë qeveritarë, Procesi i Berlinit përfshin takimet e përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile, organizatat rinore dhe shoqatat e biznesit. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)

















Comments