QEVERIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS KËRKOI LIRIMIN E ISH-LUFTËTARIT TË UÇK-së TEFIK MUSTAFA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 2, 2024
- 2 min read
Prishtinë, Kosovë | Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës e ka dënuar si arbitrar arrestimin e qytetarit kosovar Tefik Mustafa nga autoritetet serbe, dhe i ka kërkuar ndërkombëtarëve të ndihmojnë në lirimin e tij të menjëhershëm.
Në një komunikatë për media, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin e z. Tefik Mustafa nga autoritetet e Serbisë - në pikëkalimin kufitar Merdare - për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Ministria kosovare e dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa.
Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare gjithashtu të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
MPJD-ja shtoi se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe.
Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se ka njoftuar vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd.
Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.
Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Republikës së Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.
Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan qytatrin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet për krime lufte të kryera në vitin 1999 - akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.
Z. Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.
Familjarët e tij thonë se akuzat kundër z. Duraku nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.
Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




































