top of page
E BARDHË SHIRIT.png

NË BOTËN E RE TË PAQËNDRUESHME NJË GJË ËSHTË E SIGURT; RIKTHIMI I FORCËS AMERIKANE.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 23 hours ago
  • 5 min read
ree

Nga z. Xheik Uallis (Jake Wallis) Simons.

Uashington, Amerikë | Goditje e guximshme strategjike apo akt i pamatur i një të çmenduri?


Me përhapjen e lajmit se Shtetet e Bashkuara kishin bombarduar Venezuelën, duke fshirë çdo gjurmë të reputacionit të epokës Baidn (Biden) si një gjigant i butë që trembet nga hija e vet, u bë e qartë se, edhe një herë, Danlld Trampi (Donald Trump) i kishte kapur të gjithë në befasi. Kolosi i Veriut është zgjuar. Dhe, ai është i uritur.


Kalojnë disa orë dhe presidenti triumfues informonte gazetarët e hutuar në Mar-a-Lago se Shtetet e Bashkuara do të “drejtojnë vendin” derisa të mund t’i dorëzohej një administrate të re. Çfarë? Për sa kohë? Dhe, me sa divizione trupash? Hollësi nuk pati, por sipas tij, gjigandët amerikanë të naftës do të “fitonin para” ndërkohë.


Ky ishte ndërrim regjimi në formë të plotë. Kaq për “Së pari Amerika (America First)”.


Tramp (Trump) zgjodhi sekretarin e Shtetit, Marko (Marco) Rubio, që të fliste me shtypin përkrah tij. Rubio e meritoi; ky ishte momenti i tij.


Me prejardhje nga jugu i Floridës goxha antikomuniste, një strehë e njohur për disidentët kubanë dhe venezuelianë, Rubio ka kohë që argumenton për ndërrim regjimi në Karakas, duke shpresuar se kjo mund të çojë në rrëzimin e Havanës, një çmim që ShBA-ës e kanë shmangur që nga ditët e presidentit Kenedi (Kennedy).


Ai rezultat mund të jetë i pasigurt, por fraksioni i Rubios i luftëtarëve të vjetër është në ngritje.


Po ashtu, kjo ishte një goditje për fraksionin izolacionist të MAGA-s së Trampit (Trump).


Sigurisht, ata mbështetën luftën kundër drogës. Por, këtë? Drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard dhe klika e saj kundër ndërhyrjes (të cilët, ishin për një marrëveshje me Maduron për naftën e tij) janë injoruar plotësisht, njësoj si atëherë kur, në qershorin e kaluar, përpiqeshin më kot të bindnin presidentin që të mos bombardonte lokacionet bërthamore të Iranit.


Qartësisht, kjo nuk kishte të bënte vetëm me narkotikët. Duhet ditur se tregtia e drogës e Venezuelës mbetet pas shteteve narkotike si Kolumbia, Meksika, Bolivia dhe Peruja.


Sigurisht, Maduro kishte pluhur të bardhë në duar, por a ishte vërtet ai kreu i sindikatës së drogës, Karteli i Diejve, siç pretenduan Shtetet e Bashkuara në nëntor?


Në të vërtetë, shkalla e fushatës amerikane shkonte përtej objektivave të zbatimit të ligjit.


Rrëmbimi i guximshëm i Madurós dhe gruas së tij kujtonte vrasjen e Osama Bin Ladenit në Abotabad më 2011, megjithatë, në gusht, Shtëpia e Bardhë rriti shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë - dyfishi i atij të kreut të Al-Kaedës.


Ekonomia e Venezuelës - me madhësi të ngjashme me atë të Iranit të sotëm - është 280 herë më e vogël se ajo e Shteteve të Bashkuara, por përqendrimi i trupave, që përfshinte 10 mijë vetë, dhjetëra anije luftarake, aeroplanë luftarakë, nëndetëse dhe aeroplanmbajtësen e frikshme “USS Gerald R Ford”, përbënte mobilizimin më të madh të Amerikës që nga lufta në Irak.


Kjo ishte një shfaqje globale force.


Në nëntor, Kremlini tha se ishte i hapur për të armatosur Venezuelën socialiste me Oreshnik (raketën e tij më të avancuar hipersonike, për të ballafaquar kërcënimin amerikan); gjithashtu, Maduro kishte kërkuar ndihmë ushtarake nga Pekini dhe Teherani.


Kaq për këtë.


Ndërkohë, janë tronditur narkoshtetet rajonale dhe regjimet e majta ekstreme, si Kuba, të cilat, janë aleate të Pekinit dhe Moskës.


A do të bashkohen rreth flamujve të tyre në një sfidë? Apo do të përulen përpara të çmendurit? Pas kësaj fundjave, një përgjigje duket e mundshme.


Pasojat e këtij Trampi (Trump) të ri me “steroide” sapo kanë filluar. Analizojeni Republikën Islamike të Iranit, të përgjakur dhe dinake, e cila, disa ditë më parë u kërcënua nga një president “i gatshëm për të qëlluar”.


Kasra Aarabi, analist britanik për Iranin, dje foli me burime nga milicia e frikshme Basij, pjesë e Gardës Revolucionare Islamike.


Ata mendonin se Trumpi po bënte blof për Venezuelën”, më tha Aarabi. “Kështu që nuk i morën seriozisht kërcënimet e tij ndaj Iranit”.


Tani i marrin. Jo vetëm që armiqtë e Amerikës janë frikësuar, por edhe aleatët e saj të plogësht perëndimorë (ende të lënduar pasi ai shkatërroi karnavalin e njohjes së Palestinës, për ta përfunduar luftën e Gazës sipas kushteve të tij) ndihen gjithashtu të parehatshëm.


Nëse ky njeri mund të prishë diplomacinë tonë dhe të sulmojë Venezuelën, çfarë tjetër ka në plan?


Unë e quaj Teoria e të Çmendurit”, i tha Riçërd Nikson (Richard Nixon) shefit të tij të stafit, Bob Haldeman-it, siç ka thënë ky i fundit në kujtimet e tij të vitit 1978.


Dua që vietnamezët e Veriut të besojnë se kam arritur në pikën ku mund të bëj gjithçka për të ndaluar luftën … nuk mund ta ndalim kur është i zemëruar - dhe ai e ka dorën mbi butonin bërthamor”.


Natyrisht, mashtrimi i të çmendurit nuk funksionon nëse nuk është bindës. I vërtetë apo jo, agresiviteti i Trampit (Trump) ndaj Venezuelës sigurisht që dha shenja çmendurie.


Muajin e kaluar, “Washington Post” zbuloi se një sulm amerikan ndaj një anijeje droge venezueliane droge u pasua nga goditja e dytë që vrau dy të mbijetuar të kapur pas trupit të anijes.


Vritini të gjithë”, thuhet se ishte urdhri nga sekretari i Mbrojtjes, Pit Hegsëth (Pete Hegseth). Ai që atëherë është akuzuar për krime lufte.


Por, me gjithë mburrjet e tij, Trampi (Trump) mund të mos jetë aq i çmendur sa duket.


Në vitin 2013, sekretari i atëhershëm i Shtetit, Xhon Keri (John Kerry) shpalli një epokë “partneriteti të barabartë” dhe mirësie në Amerikën Latine, pas Luftës së Ftohtë, por qasja muskulore e Trampit (Trump) i rikthehet një tradite më të vjetër të politikës së jashtme amerikane, në të cilën, Shtëpia e Bardhë ndoqi me vendosmëri interesat e saj në rajon, ekonomike dhe ideologjike, për më shumë se një shekull.


Duke filluar me Doktrinën Monro (Monroe) të vitit 1893, ndërhyrja amerikane fillimisht u përball me fuqitë evropiane, para se të evoluonte për të luftuar sovjetikët gjatë Luftës së Ftohtë.


Midis viteve 1898 dhe 1994, ShBA-ës shkaktuan 41 ndërrime qeverish në Amerikën Latine, 17 prej të cilave përfshinin agresion.


Në veçanti, pushtimi i Panamasë nga Xhorxh (George) Bushi i vjetër më 1989 (i ndjekur nga Operacioni ‘Promovo Lirinë’, ku Shtetet e Bashkuara mbështetën qeverinë e re panameze për gati pesë vjet) ndihmoi në krijimin e demokracisë së qëndrueshme që shohim sot.


A është kjo ajo që Trampi (Trump) ka në mendje për Venezuelën?


Ky është Danlldi (Donald). Mbaji të gjithë në hamendje, madje edhe ata në anën tënde.


Narkotikët mund të kenë formuar rrëfimin, por ekstravaganca venezueliane është pjesë e doktrinës së politikës së jashtme të Trampit (Trump) - nga Lindja e Mesme te oborri i tij.


Manovro; mashtro; shfaqe një forcë të madhe; godit me egërsi. Në këtë botë të paqëndrueshme, një gjë është e sigurt; e çmendur apo jo, është rikthyer diplomacia amerikane e mbështetur nga forca ushtarake (gunboat diplomacy).


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page