NJË FLOTILJE NDËRKOMBËTARE NJOFTOI NDIHMË PËR KUBËN DUKE SYNUAR THYERJEN E BLLOKADËS SË SHBA-ës.


Londër, Mbretëria e Bashkuar | Një koalicion ndërkombëtar i lëvizjeve shoqërore njoftoi në faqen e internetit të subjektit “Progressive International” nisjen e një flotilje detare që synon të sjellë ushqim, ilaçe dhe mallra të tjera thelbësore në Kubë muajin e ardhshëm.
Iniciativa, e quajtur “Nuestra América” (Amerika Jonë), paraqitet nga organizatorët e saj si një përpjekje humanitare dhe politike që synon thyerjen e bllokadës të vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kubës komuniste.
Sipas promotorëve të saj, misioni synon t'i përgjigjet situatës së brendshme në Kubë që po përkeqësohet me shpejtësi, e karakterizuar nga mungesa e karburantit, ndërprerje të zgjatura të energjisë dhe vështirësi në furnizimin e spitaleve dhe farmacive.
Projekti merr frymëzim nga nismat e mëparshme të solidaritetit ndërkombëtar dhe gjithashtu synon të dërgojë një mesazh politik mbështetjeje për popullin kuban.
Mbështetësit përfshijnë aktivistin amerikan Deivid Adllër (David Adler), ish-udhëheqësin britanik të Partisë së Punës (Laburiste) Xherëmi Korbin (Jeremy Corbyn) dhe kongresmenen demokrate amerikane Rashida Tlaib, të gjithë, kritikë të embargos amerikane ndaj Kubës komuniste ku liritë dhe të drejtat e njeriut shkelen me dhunë dhe me terror shtetëror.
Megjithatë, analistët e pavarur theksojnë se kriza kubaneze përkeqësohet edhe nga faktorë të brendshëm strukturorë, duke përfshirë menaxhimin ekonomik dhe mungesën e reformave të thella, përveç efekteve të sanksioneve ndërkombëtare.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









Comments