MINISTRIA E JASHTME THIRRI AMBASADORIN E REPUBLIKËS SË SERBISË TË AKREDITUAR NË TIRANË: SHKAK DEKLARATAT E VULINIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 15, 2024
- 1 min read
Tiranë, Shqipëri | Ambasadori i Republikës së Serbisë Slobodan Vukçeviç është thirrur dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Atje, në mënyrë zyrtare iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv/kryeministri i Republikës së Serbisë Vulin ka lëshuar në lidhje me vizitën në Athinë të kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë Edi Rama.
Zv/kryeministri Vulin tha: “Vetëm bota serbe e ndal Shqipërinë e Madhe dhe ndaj kërkohet aleancë me Athinën.”
Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit.
Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.
MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, dhe të përsëritura, të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit europian, thuhet në qëndrimin e MEPJ.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)



































