MINISTRI BALLA TAKOI HOMOLOGUN E MBRETËSISË SPANJOLLE | MEMORANDUM PËR LUFTË INSTITUCIONALE NDAJ KRIMIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 17, 2024
- 3 min read
Madrid, Mbretëria e Spanjës | Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka nënshkruar një memorandum me Mbretërinë e Spanjës, me qëllim thellimin e bashkëpunimit operacional në luftën kundër veprimtarive kriminale.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla u prit nga Ministri i Brendshëm i Mbretërisë së Spanjës Fernando Grande-Marlaska.
Ministri Balla theksoi se bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Spanjës është ngritur në një nivel tjetër më të lartë.
“Kemi çuar në një nivel tjetër bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Spanjës dhe përmes saj me Policinë Kombëtare Spanjolle, për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike, trafikut të paligjshëm të migracionit dhe po ashtu për të krijuar grupe të përbashkëta pune mes të dy policive tona sa i përket identifikimit të personave të përfshirë në aktivitete kriminale në të dy vendet tona qofshin këta shqiptarë që jetojnë në apo janë të përfshirë në aktivitete kriminale që ndodhin në Spanjë. Po ashtu edhe për qytetarët spanjollë, të cilët mund të kryejnë aktivitete kriminale në Shqipëri dhe po ashtu dhe në një nivel më të gjerë duke përfituar edhe nga fakti se Spanja ka një lidhje të fort me vendet e Amerikës Latine për të përdorur komunikimin që ka pala spanjolle me këto vende në funksion të identifikimit të qytetarëve shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në këto vende dhe që lidhen kryesisht dhe me korridoret ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike”, tha ministri Balla.
“Sikurse e ndoqët ka qenë një takim i gjatë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Kombëtare duke hyrë në detaje konkrete, madje edhe në emra konkret në mënyrë që ne të kemi mundësinë që të intensifikojmë luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar”, tha ministri Balla.
“Ju e dini në Europë ka tashmë një koalicion europian në luftën kundër krimit të organizuar, ku Spanja luan një rol të rëndësishëm dhe edhe kjo marrëveshje i shërben pikërisht intensifikimit të punës së përbashkët sa i për ketë operacioneve dhe hetimeve gjithëpërfshirëse kundër grupeve kriminale që zhvillojnë aktivitetin e tyre jo vetëm në Spanjë, por në gjithë Europën dhe në këtë kontekst mendoj që rezultatet e arritura deri më tani falë këtij bashkëpunimi operacionet e përbashkëta edhe në kuadër të EUROPOL-it dhe të INTERPOL-it janë një sërë operacionesh që mund t’ua vemë në dispozicion, pikërisht për rezultate që ato kanë pasur dhe do të vazhdojmë ta intensifikojmë bashkëpunimin”, tha ministri Balla.
“Falënderoj po ashtu edhe ekipet e Policisë së Shtetit, të cilat janë marrë me zbatimin dhe pjesën tjetër hetimore që lidhet me mbarëvajtjen e këtij operacioni. Është një operacion i rëndësishëm, i cili ndërlidhet edhe me atë që po ju thoja pak më parë, sepse bëhet fjalë për personazhe të krimit në Shqipëri, të cilët nuk kanë zhvilluar dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal vetëm në Shqipëri, por bëhet fjalë për aktivitete kriminale të zhvilluar në disa vende europiane apo përfshirë edhe Spanjën në fakt, që uroj që operacione të tilla të vijojnë të konsolidohen edhe më tej për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë së elementeve të grupeve kriminale dhe kështu i kthejmë përgjigje të gjithë atyre që shpesh herë pyesin ‘po kokat, po kokat’, besoj që ky është një prej atyre rasteve që flet vetë”, shtoi më tej ministri Balla.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


































