MBRETËRIA E DANIMARKËS | PAS 400 VITESH SHËRBIMI NDAJ KLIENTËVE POSTA DANEZE (POST NORD) NUK DO TË DËRGOJË MË LETRA; LETRA E FUNDIT DO TË DORËZOHET NË DATËN 30.12.2025.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 21, 2025
- 2 min read

Kopenhagen, Mbretëria e Danimarkës | “Shërbimi postar danez do të dorëzojë letrën e tij të fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite që shtrihet më shumë se 400 vjet”.
Kështu raporton enti mediatik britanik “The Guardian”, duke vënë në dukje se në fillim të këtij viti, “PostNord”, e formuar në vitin 2009 nga bashkimi i shërbimeve postare suedeze dhe daneze, njoftoi vendimin për të ndaluar dorëzimin e letrave deri në fund të vitit, duke shkurtuar 1500 vende pune në Danimarkë dhe duke hequr 1500 kuti postare të kuqe, mes dixhitalizimit në rritje të shoqërisë daneze.
Sipas shërbimit postar, kërkesa për letra ka rënë në mënyrë dramatike, ndërsa blerjet online kanë vazhduar të rriten, duke e shtyrë kompaninë të përqendrohet te pakot.
U deshën vetëm tre orë që të bliheshin 1 mijë nga kutitë postare të kuqe dalluese, të cilat, dolën në shitje në fillim të këtij muaji.
Edhe 200 të tjera do të dalin në ankand në janar.
“PostNord”, e cila, do të vazhdojë të shpërndajë letra në Suedi, ka thënë se do të rimbursojë pullat daneze të papërdorura për një kohë të kufizuar.
Danezët do të jenë ende në gjendje të dërgojnë letra duke përdorur kompaninë e shpërndarjes “Dao”, e cila, do të zgjerojë shërbimet e saj nga afërsisht 30 milionë letra në vitin 2025 në 80 milionë vitin e ardhshëm duke filluar nga 1 janari.
Shërbimi postar danez ka qenë përgjegjës për shpërndarjen e letrave në vend që nga viti 1624.
Gjatë 25 viteve të fundit, dërgimi i letrave ka parë një rënie të ndjeshme në Danimarkë, me më shumë se 90%.
Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se një ringjallje në shkrimin e letrave midis të rinjve mund të jetë në proces.
Sipas hulumtimit të “Dao”-s, të rinjtë e moshës 18 deri në 34 vjeç dërgojnë dy deri në tre herë më shumë letra sesa grupmoshat e tjera, duke kërkuar një kundërpeshë ndaj mbingopjes dixhitale.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments