MBRETËRIA E BASHKUAR | KRYEMINISTRI ENDI BËRNEM (ANDY BURNHAM): MBUSHA 100 DITË NË KRYE TË DETYRËS; PO I ADRESOJMË PROBLEMET E VENDIT.

Londër, Mbretëria e Bashkuar | “Ne kemi filluar të adresojmë problemet që një qeveri pas tjetrës i ka shmangur”.
Kështu tha kryeministri i Partisë së Punës (Laburiste) Endi Bërnem (Andy Burnham) në një postim në rrjetet shoqërore virtuale që shënonte 100 ditët e tij të para në Dauning Strit (Downing Street), pasi mori detyrën si kreu i qeverisë nga paraardhësi i tij Keër Starmër (Keir Starmer) korrikun e kaluar.
“Shumë më thanë se kjo do të ishte e pamundur. Por kemi vetëm pak muaj që e kemi nisur dhe së bashku po u provojmë se gabohen”, - tha kryeministri Bërnem (Burnham), i cili e ka rikthyer Partinë e Punës (Laburiste) në krye të sondazheve, duke kapërcyer rënien e mbështetjes popullore.
Ndër arritjet që ai theksoi janë decentralizimi i pushtetit në një shkallë të paparë në dhjetëvjeçarë, me krijimin e “Nr. 10 Veri”, një degë e Dauning Stritit (Downing Street) në Mançester, ku ai ishte kryetar bashkie, dhe fuqitë e shtuara për kryetarët e bashkive mbi transportin, trajnimin profesional dhe strehimin.
Ai theksoi gjithashtu planin për të krijuar një shërbim kombëtar të kujdesit social dhe për të larguar të pastrehët nga rrugët, së bashku me masat e futura për të luftuar koston e lartë të jetesës.
“Ky është vetëm fillimi.
Pra, qëndroni me ne.
Sepse kemi plane të mëdha për të transformuar vendin tonë dhe unë nuk do të ndalem derisa njerëzit të mund të shohin përsëri të ardhmen me shpresë”, - tha kryeministri Bërnem (Burnham).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit










Comments