I ARRESTUAR PËR TRANSPORT KOKAINE ARJAN DOÇI DEKLAROI SE ISHTE HERA E PARË QË MERREJ ME DROGË | DËSHIMA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 25, 2024
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Z. Arjan Doçi, drejtuesi dhe njëkohësisht pronari i furgonit ku u gjet lënda narkotike ka deklaruar se kokainën (mallin) ja ka marrë një personi në Tiranë, po nuk ka treguar identitetin e tij.
Ai deklaroi se ishte hera e parë që po trasportonte drogë me shpresën që nuk do kapej nga autoritetet e zbatimit të ligjit.
Gjatë dëshmisë së tij ai mbrojti kushëririn, z. Mentor Çuni.
Z. Çuni ka deklaruar se s’ka pasur dijeni për lëndën narkotike.
Dëshmia | “Kokainën ma dha një person në Tiranë që nuk u identifikua. Pagoi paratë për transportin dhe më dha koordinatat se ku do ta çoja.
Atje më tha se më priste një person që do më gjente vetë. Këtë itinerar kemi disa vite që e bëjmë, por kjo është hera e pare që mora përsipër të transportoja drogë.
Pasi ndaluam në Tiranë, mora kushëririn (djalin e tezes) me vete për të më ndihmuar gjatë rrugës.
Fillimisht do shkarkonim disa pako në Itali, gjëra që familjaret u kishin dërguar të afërmve të tyre dhe më pas do vijonim udhëtimin drejt Anglisë.
Sa i përket drogës, nuk ua di emrat as atij qe ma dha dhe as atij qe e priste.
Vetëm koordinatat. Thjesht mora përsipër ta transportoja. Me shpresën se nuk do më kapnin gjatë rrugës.
Mentori s’ka lidhje fare pasi është thjesht punëtor dhe s’kishte dijeni për kokainën”, ka deklaruar z. Doçi.
Në lidhje me arrestimin e tyre Agjencia Telegrafike Vox (Voks) botoi shkrimin me përmbajtjen e mëposhtme. 👇 Porti i Durrësit, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Arjan Doçi, me moshë 38 vjeç.
2- Z. Mentor Çuni, me moshë 39 vjeç (të dy kushërinj me njëri-tjetrin, konkretisht djem tezesh).
Atyre u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale me karakter kompromentues 7 pako me kokainë, të cilat, ishin fshehur në një furgon mallrash me targa angleze.
Kokaina u gjet brenda fundit të dyfishtë të krijuar në furgonin e mallrave, poshtë sediljes së shoferit. Kokaina ishte paketuar në qese vakumi për mos t’u nuhatur nga qentë anti-drogë.
Hetimet vijojnë për zbulimin e të tjerë subjekteve kriminalë të implikuar në këtë linjë trafiku ndërkombëtar të kokainës.
Furgoni ku u gjet kokaina i përkiste kompanisë “Bledi Trans”, e cila transportonte sende të ndryshme nga komuniteti i emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Furgoni ndiqte itinerarin Shqipëri – Itali – Angli.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit