top of page
E BARDHË SHIRIT.png

GREQIA FUTI NË TREGUN E PATUNDSHMËRIVE 975 MILIONË € NGA PROGRAMI “GOLDEN VISA”.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jul 7, 2023
  • 2 min read

Athinë, Greqi | Në Greqi, numri i kërkesave për banim nga blerësit e mëdhenj të pasurive të paluajtshme, nga vende të të treta po rritet ndjeshëm. Pesë muajt e parë të 2023-ës panë blerje të pasurive të paluajtshme me një vlerë totale prej 975 milionë eurosh, të ardhura nga investitorë nga vende të treta, të interesuara për të marrë një leje qëndrimi, përmes programit Viza e Artë (Golden Visa). Kjo është pothuajse trefishi i shumës së regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin investuar 361 milionë euro. Kjo rritje prej 170% bazohet në kërkesat e paraqitura në Ministrinë e Migracionit për dhënien e lejeve fillestare të përhershme të investitorëve. Numri i përgjithshëm i aplikimeve arrin në 3900, krahasuar me 1444 gjatë pesë muajve të parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kulmi i fluksit të investimeve në tregun vendas ka nisur të shkaktojë vonesa në miratimet nga agjencitë kompetente. Sot, Vizat e Arta në pritje arrijnë në 5444. Nëse shtohen të afërmit e investitorëve, si dhe rinovimet e lejeve të mëparshme, numri i përgjithshëm i lejeve në pritje shkon në 17742. Vetëm në 12 muajt e fundit (qershor 2022 – maj 2023) janë paraqitur 8351 kërkesa për licenca fillestare, dhe rinovime, nga të cilat janë lëshuar vetëm 35%. Këtë fakt e konfirmojnë edhe profesionistët e tregut. Aleksandros Risvas, kreu i studios ligjore Risvas & Associates, e specializuar në fushën e imigracionit të investimeve, tha për gazetën greke Përditëshmëria (Kathimerini) se “vonesat janë rritur me të vërtetë. Deri vonë miratimet jepeshin deri në dy muaj. Tashmë duhen të paktën tre muaj, që vjen si pasojë e më shumë se trefishimit të vëllimit të aplikimeve. Norma e miratimeve është rritur realisht, pasi në periudhën janar-maj lejet e dhëna për investitorët e rinj arritën në 1938, nga 777 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – një rritje prej 149%. Vetëm në maj janë dhënë gjithsej 412 licenca, nga 220 vitin e kaluar. Prej tyre, 317 kishin të bënin me investitorë të rinj, krahasuar me 169 leje që ishin miratuar në muajin përkatës të 2022. Megjithatë, të dhënat tregojnë se shkalla e aplikimeve të reja është e tillë që agjencitë nuk mund të përgjigjen, ndërkohë që krahas investitorëve të rinj, shtohen edhe rinovimet e investitorëve të “gjeneratës së parë”, të cilëve u skadojnë lejet pesëvjeçare. Copyright | Agjencia Telegrafike Vox


 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page