ELIOT ENGEL SHKRUAN NË “FOREIGN POLICY” | KËRKON MBROJTJE TË KOSOVËS DHE JO SULME NDAJ SAJ.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 19, 2023
- 3 min read

Uashington, ShBA | Shumëkush e ka thënë edhe më parë, se administrata e presidentit amerikan Baiden, po qetëson z. Vuçiç, në dëm të Kosovës.
Por kur ky pohim vjen përmes gojës së një personaliteti të lartë të politikës së jashtme amerikane, kjo merr peshë tjetër.
Ish-kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, i njohur si një mik i shqipëtarëve, e ka hedhur këtë ide, në një artikull autorial, të publikuar në “Foreign Policy”.
Sipas ish kongresmenit që i takon krahut të demokratëve, presidenti Baiden kërkon me çdo kusht “të ruajë stabilitetin në Evropë”, por, një gjë e tillë “ka shtrembëruar pikëpamjen e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës. Washingtoni tani po e qetëson z. Vuçiç në një përpjekje për të ulur tendencat e tij destabilizuese” shkruan ai.
Dhe për të vërtetuar tezën e tij, në artikull, ish-kongresisti Engell jep disa shembuj.
Synimi i tyre është që të dëshmojnë se përgjatë vitit të kaluar, kur qeveria e Kosovës ka dashur të ushtrojnë funksionet që i takojnë, brenda kufijve të vendit të saj, ajo është kritikuar madje ndëshkuar nga Washingtoni.
“Kur Kosova u përpoq që të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët në veri të përdornin targat e saj zyrtare dhe jo ato të Serbisë, DASH kritikoi ashpër Kosovën. Kur Kosova kërkoi të kishte kryetarë komunash të zgjedhur siç duhet, të cilët ishin shqiptar për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet – Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi ashpër republikën e re dhe goditi me shuplakë”, shkruan ai.
Ai i sjell këto raste në paralelizëm me lëshimet që i bëhen Aleksandër Vuçiçit. “A e ndëshkoi Uashingtoni presidentin serb Aleksandar Vuçiç që ushtroi presionin ndaj serbëve të Kosovës për të bojkototuar zgjedhjet? Jo. A e ndëshkoi grupin e vogël të serbëve që sulmuan forcat e NATO-s në Kosovë, duke plagosur 30 paqeruajtës? Mezi - dënoi dhunën, por jo agresorët. A e ndëshkoi Beogradin për nxitjen e qytetarëve serbë etnikë të veriut të Kosovës që të refuzojë në mënyrë agresive përdorimin e targave të vendit ku ata jetojnë? Jo. A i ka dënuar veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve etnikë që jetojnë në jug të vendit, të cilët, sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, pësojnë spastrim etnik përmes mjeteve administrative? Përsëri, mezi e bëri, nëse aspak”, shkruan aim ë tej në artikullin e tij.
Ish-kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, kujdeset të theksojë se ai e mbështet politikën e jashtme të administratës Baiden, por, se ka ka shqetësim për trajtimin e “mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Departamenti i Shtetit”.
Ai prek dhe një pikë thelbësore që e kërkon me ngulm diplomacia amerikane, e tani së fundi edhe kryeministri i Shqipërisë, atë të krijimit të shoqatës së komunave me shumicë serbe. “Asociacioni nuk do ta zgjidhë problemin themelor - kundërshtimin agresiv të Serbisë për një Kosovë të pavarur”, nënvizon ai.
Kritikat e ish- kongresistit Engell u rimorën sot edhe në Kongresin amerikan, ku Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë mbajti një seancë dëgjimore me të dërguarin e SHBA në rajon, Gabriel Eskobar.
Kongresmeni republikan, Keith Self, e pyeti z. Eskobarin: “mos harroni se është koleg nga krahu tjetër (demokrat), që ka drejtuar këtë komision - i cili pretendon se administrata e presidentit Baiden po qetëson Serbinë në dëm të demokracisë. Ndonjë koment si zyrtar i administratës Biden?”
Ndërsa i dërguari special për Ballkanin u përgjigj se ky është një këndvështrim i gabuar. “Ne kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, në favor të anëtarësimit në Këshillin e Europës, kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve edhe pse me përqindje të ulët prej 3 përqind, kemi sanksionuar shefin e inteligjencës në Serbi” u mbrojt z. Eskobar, para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Kongresit.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox.

___.png)

















Comments