BOLIVI | RODRIGO PAZ PEREIRA U BETUA SI PRESIDENT; DEKLAROI SE DO TA HAPË BOLIVINË NDAJ BOTËS; DENONCOI TË MAJTËN PËR RRËNIM EKONOMIK DHE PËR BORXHIN E JASHTËM MBI 40 MILIARDË $.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 4 hours ago
- 3 min read

La Paz, Bolivi | Z. Rodrigo Paz Pereira ka marrë detyrën si president i Bolivisë, duke nisur një epokë të re politike dhe ekonomike pas gati njëzet vitesh qeverish të krahut të majtë të udhëhequra nga Lëvizja Drejt Socializmit (MAS).
Kjo shënon gjithashtu një ndryshim në politikën e jashtme, e cila, është e orientuar drejt një hapjeje më të madhe ndërkombëtare.
Hapi i parë ishte rifillimi i marrëdhënieve diplomatike me ShBA-ës, të ndërprera që nga viti 2008.
Udhëheqësi i Partisë Demokratike Kristiane (PDC) të qendrës së djathtë, i zgjedhur në balotazhin e 19 tetorit me 54.9% të votave, mori brezin dhe medaljen presidenciale.
“Zot, vend dhe familje, po, betohem”, deklaroi kreu i ri i shtetit gjatë ceremonisë.
Mbi 60 delegacione ndërkombëtare ishin të pranishme, përfshirë presidentët e Argjentinës, Kilit, Ekuadorit, Paraguait dhe Uruguait, nënkryetari i Brazilit, Geraldo Alkmin (Alckmin), kryeministri i Perusë, Ernesto Alvarez, si dhe përfaqësues të Panamasë, Kosta Rikës, El Salvadorit, Kinës, Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Spanjoll.
Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga Nënsekretari i Shtetit Kristofër (Christopher) Landau.
Presidenti Paz ka rivendosur tashmë marrëdhëniet me Uashingtonin, të ndërprera që nga viti 2008, dhe ka negociuar një kredi prej 3.1 miliardë dollarësh me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Ndëramerikane të Zhvillimit dhe Bankën e Zhvillimit të Amerikës Latine, duke fituar mbështetjen e Sekretarit të Shtetit të ShBA-ës Marko (Marco) Rubio.
Qeveria e re trashëgon një ekonomi të brishtë, të pllakosur nga mungesa e dollarit dhe karburantit dhe inflacioni mbi 20%.
Presidenti Paz ka premtuar një model kapitalizmi për të gjithë, me stimuj për bizneset e vogla, tarifa të reduktuara dhe hapje më të madhe ndaj investimeve të huaja.
Edhe pse partia e tij mban një shumicë relative në Parlament, presidenti do të duhet të ndërtojë aleanca, por kuadri i ri legjislativ, i dominuar nga forcat liberale dhe pro-tregut, mund të favorizojë axhendën e tij ekonomike.
“Bolivia nuk do të jetojë më kurrë e izoluar nga bota ose e nënshtruar ndaj ideologjive të dështuara”, deklaroi presidenti i ri bolivian gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij.
Presidenti Paz do të udhëheqë një qeveri të qendrës së djathtë pas gati dy dekadash administratash të krahut të majtë të udhëhequra nga Lëvizja Drejt Socializmit (MAS).
Për Presidentin Paz, kjo ndarje do të thotë që Bolivia kthehet në botë dhe bota kthehet në Bolivi.
“Krahët tanë janë të hapur”, deklaroi ai para delegacioneve të huaja.
Udhëheqësi i PDC-së tha se po merr drejtimin e vendit në një moment kritik, duke trashëguar një ekonomi të rrënuar, rezervat ndërkombëtare më të ulëta në tridhjetë vjet, inflacion, mungesa, borxh dhe mosbesim, duke denoncuar se politikat e paraardhësit të tij, Luis Arke (Arce), e kanë transformuar Bolivinë në një shtet të paralizuar, një përbindësh burokratik të paaftë për t'i shërbyer Popullit.
“Na kanë lënë me krizën më të keqe në dyzet vjet, një borxh prej 40 miliardë dollarësh, tregje bosh dhe paga nën nivelin e duhur.
Na tradhtuan dhe tradhtia po paguhet në Bolivi, sepse është çmimi që e mbajnë më të përulurit. Dhe ne do t'i mbrojmë më të përulurit”, tha Presidenti Paz, duke premtuar një ndryshim drejtimi politik dhe ekonomik.
Presidenti Paz dhe z. Landau njoftuan më pas se Bolivia dhe Shtetet e Bashkuara do të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh.
“Ne do t'i rivendosim marrëdhëniet”, deklaroi presidenti i ri në një takim me përfaqësuesin e ShBA-ës, i cili, specifikoi se marrëdhëniet do të ishin në nivel ambasadorësh, siç duhet të kishin qenë gjithmonë.
Në vitin 2008, ish-Presidenti Evo Morales dëboi diplomatin më të lartë amerikan në Bolivi, duke e akuzuar atë për mbështetje të një komploti të krahut të djathtë. Uashingtoni u përgjigj duke bërë të njëjtën gjë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments