BIRN: ARRESTIMI I GAZETARIT ERVIS HASANAGA PËR VEPRËN PENALE TË “FALSIFIKIMIT KOMPJUTERIK” NGRE DYSHIME.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 30, 2024
- 3 min read
Tiranë, Shqipëri | Organizatat për lirinë e medias reaguan të shqetësuara të enjten, pasi policia njoftoi arrestimin e një gazetari me akuzën e publikimit të lajmeve të rreme që sipas njoftimit të policisë i servireshin nga dy oficerë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
“Safe Journalist” në një deklaratë bëri me dije se po ndiqte në mënyrë aktive rastin, ndërsa u kërkoi autoriteteve të bënin transparencë.
“I bëjmë thirrje autoriteteve që të sigurojnë transparencë dhe respektim të procesit të rregullt ligjor në trajtimin e kësaj çështje.
Ndërsa e njohim nevojën për llogaridhënie, nxisim që të mos përdoren masa si arrestimet e gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilat duhet të jenë proporcionale dhe të justifikuara”, shkruhet në deklaratën e “Safe Journalist”.
Gazetari Ervis Hasanaga u arrestua bashkë me oficeren e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rexhina Omeri, ndërsa z. Kushtrim Selimi - shef sektori pranë AMP-së, u shpall në kërkim policor.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i tha entit mediatik BIRN në një komunikim telefonik se të arrestuarit akuzoheshin për falsifikim kompjuterik.
“Arrestimet në flagrancë për këta shtetas janë kryer për veprën penale të falsifikimit kompjuterik e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 A i Kodit Penal”, tha z. Vocaj.
Kjo vepër penale parashikon ndërhyrje në sisteme kompjuterike dhe ndryshimin e të dhënave apo falsifikimin e tyre.
Megjithatë, Policia e Shtetit nuk tha se në cilin sistem ishte ndërhyrë.
Po ashtu në komunikatën për shtyp u la të kuptohej se bëhej fjalë për publikimin e lajmeve me akuza ndaj zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.
“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Drejtori i Policisë së Tiranës tha se palët e përfshira kishin paguar para për publikimin e lajmeve që policia i ka konsideruar të rreme.
Prokurori i çështjes Arben Agovi tha se po i shqyrtonte materialet e dosjes dhe se ende nuk mund të komentonte mbi këtë rast.
Ndërkohë Policia ishte e paqartë për akuzat ndaj gazetarit, nëse ky i fundit ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike apo ishte vetëm fajtor për publikimin e të dhënave të servirura nga oficerët e AMP-së.
Znj. Blerjana Bino, nga “Safe Journalist” i tha entit mediatik BIRN, se nëse gazetari ishte arrestuar thjeshtë për mosverifikim të informacionit, ndalimi i tij nuk justifikohej.
“Edhe pse praktikë e dënueshme nga Kodi i Etikës, por zgjidhet me vetërregullim, jo me arrestim”, tha znj. Bino.
Policia e Shtetit bën me dije se ndaj të akuzuarve dhe dy personave të tjerë ende të paidentifikuar kishte një kallëzim penal.
Nga të dhënat e bëra publike rezultoi se lajmet që Policia e Shtetit i cilëson të rreme lajmet që publikoheshin në një faqe interneti që dyshohet se financohej nga z. Kushtrim Selimi, shef sektori pranë AMP-së.
Në faqe gjenden kryesisht artikuj me akuza ndaj drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, ndërsa identifikohet fakti se zyrtarë shtetërorë fshihen pas fushatave apo publikimeve të ngjashme.
Nga BIRN
© Copyright | BIRN
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




































