top of page
E BARDHË SHIRIT.png

APELI I GJKKO-së LA NË FUQI VENDIMIN E SHKALLËS SË PARË TË GJKKO-së PËR ISH-KRYETARIN E BASHKISË SË DURRËSIT VANGJUSH DAKO | I DUHET TË KËTHEHET NË BURG PËR TË SHLYER 11 DITË DËNIM.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Sep 16
  • 5 min read
ree

Tiranë, Shqipëri | Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin penal të shqiptuar ndaj:

1- Z. Vangjush Dako, me detyrë ish-Kryetar i bashkisë së Durrësit.


Njoftim | Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:


1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;


2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;


3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;


4. U shpall në Tiranë, sot më datë 16.09.2025, thuhet në njoftimin zyrtar.


Vendimi gjyqësor | Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve:

Vangjush Dako, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal 2 (dy) herë, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal”.


Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.


Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 70, datë 25.11.2024 vendosi:


Deklarimin fajtor të të pandehurit Vangjush Dako për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i K.Penal për faktin penal të ndërtimit të pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k. dhe dënimin e tij me 2 vite e 9 muaj burgim.


Deklarimin fajtor të të pandehurit Vangjush Dako për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i K.Penal për faktin penal të projekt zbatimit të promenadës bregdetare dhe dënimin e tij me 2 vite e 4 muaj burgim.


Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Vangjush Dako dënohet me 4 vite burgim.


Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Vangjush Dako i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të vendimit dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, ku në përllogaritje do të mbahet në konsideratë fakti që i pandehuri nga data 06.06.2023-27.02.2024 ka qenë me masë sigurimi “Arresti në burg” dhe nga data 27.02.2024 vijon të jetë me masë sigurimi “Arresti në shtëpi”. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Vangjush Dako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.


Deklarimin fajtor të të pandehurit Fiqiri Farruku për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.


Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fiqiri Farruku i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.


Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe sa dyfishi i pjesës së mbetur të dënimit, me kusht që gjatë kësaj kohe, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.


Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet shuarja e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurit Fiqiri Farruku me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Ejupi për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.


Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fatmir Ejupi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.


Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe prej 4 vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.


Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Garancia pasurore”, parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurit Fatmir Ejupi me anë të vendimit Nr.63, datë 20.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit Fatmir Ejupi i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.


Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Bulku për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/3-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.


Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Bulku i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.


Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhë kohe sa dyfishi i pjesës së mbetur të dënimit, me kusht që gjatë kësaj kohe, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.


Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurit Adrian Bulku me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Në bazë të nenit 391 të K.Pr.Penale dokumentet e bashkuara në cilësinë e provës materiale, konkretisht akt kontroll piketim strukture i datës 05.11.2014 në formatin A3, akt kontroll piketim kuota 0+00 i datës 27.11.2014 në formatin A3, të përshkruara në pikën 16 të procesverbalit të sekuestrimit, plani i sistemimeve të jashtme të formatit A3 pa datë, akti i kontrollit të përfundimit të sistemit të jashtëm të sheshit të ndërtimit në formatin A4 i datës 10.02.2015, përshkruar në pikën 15 të procesverbalit të sekuestrimit, akt kontroll i përfundimit të karabinasë i datës 10.02.2015 në formatin A4, dy fletë përshkruar në pikën 15 të procesverbalit të sekuestrimit, deklarohen të falsifikuara.


Në bazë të nenit 190/1/c të K.Pr.Penale provat materiale të bashkëngjitura me fashikullin e gjykimit, 4 DVD që kanë cilësinë e provës materiale të asgjësohen pasi vendimi të marrë formë të prerë.


Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.


Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit, thuhet në vendimin gjyqësor.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page