top of page
E BARDHË SHIRIT.png

ÇFARË MË MËSOI ROBËRIA PËR HAMASIN DHE IDEOLOGJINË E TIJ PLOT URREJTJE?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Oct 7
  • 3 min read

Updated: 3 hours ago

ree

Nga z. Eli Sharabi.

Jeruzalem, Izrael | Më 7 tetor 2023, terroristë hynë me forcë në shtëpinë time në kibucin Be’eri.


Unë, bashkëshortja ime Lian (Lianne), dhe vajzat tona Noia (Noiya) dhe Jahel (Yahel) u fshehëm në dhomën e sigurisë, ndërsa burrat e armatosur digjnin dhe vrisnin nëpër kibuc.


Pasi më zunë, më lidhën dhe më tërhoqën zvarrë drejt Gazës.


Përvoja ime e parë nuk ishte vetëm me luftëtarë të Hamasit, por edhe me një turmë të dalldisur civile - burra, gra, fëmijë - që luftonin për të më copëtuar.


Terroristët e Hamasit u desh të zmbrapsnin turmën. Nuk e dija se gruaja dhe vajzat e mia ishin vrarë. Gjatë 491 ditëve në robëri kisha shpresë se ato ende ishin gjallë - një shpresë që u shua vetëm pas lirimit tim.


Tani, ndërsa afrohet përvjetori i dytë i mizorive të 7 tetorit, po rritet mundësia që pengjet e fundit të mbetura të lirohen më në fund - përfshirë trupin e vëllait tim Jsoi (Yossi), i cili, u vra gjatë robërisë.


Ditët e mia të para si peng i kalova në bodrumin e një shtëpie të një familjeje të pasur nga Gazë.


Babai i familjes, i cili, kishte punuar në ndërtimtari në Izrael, fliste rrjedhshëm anglisht dhe madje pak hebraisht.


Jeta në katin e sipërm zhvillohej normalisht për familjen - vakte, mësime, lutje - ndërsa unë qëndroja poshtë, me shpatullat që më dhembnin tmerrësisht nga litarët e shtrënguar që më mbanin lidhur.


Gjatë 51 ditëve që më mbajtën në shtëpinë e kësaj familjeje, njoha më mirë rojat që më ruanin.


Me kalimin e ditëve, ata flisnin më shumë, unë dëgjoja më shumë dhe mësova për jetën e tyre.


Më tregonin për familjet dhe për punët e tyre. Njëri ishte oficer policie me tetë fëmijë. Një tjetër drejtonte një kioskë ku shiste falafele.


Unë flas arabisht dhe kuptoja shumë mirë kur terroristët diskutonin për ideologjinë e tyre.


Njëri këmbëngulte se i gjithë territori u përkiste palestinezëve dhe se hebrenjtë do të duhej të ktheheshin në Marok ose Jemen.


Një tjetër ishte më politik, duke përsëritur vazhdimisht dogmat e Hamasit për mos ekzistencën e shtetit të Izraelit.


Por, ishte e qartë se për ca prej tyre, bashkimi me Hamasin kishte të bënte më shumë me përfitimet ekonomike sesa me ideologjinë.


Hamasi kishte para, pushtet dhe status, dhe disa ishin bashkuar thjesht për t’i fituar këto gjëra për vete.


Megjithatë, për mua u bë e qartë se gatishmëria për të torturuar dhe vrarë buron nga diçka më e thellë.


Vrasësit që hynë në shtëpinë time dhe masakruan gruan dhe vajzat e mia ishin të shtyrë nga një urrejtje e verbër, e cila, dukej se kishte përparësi mbi çdo motiv tjetër - madje edhe mbi vetë jetën.


Në ditën e 52-të të robërisë sime - më 27 nëntor 2023 - u transferova në një tunel me gjashtë pengje të tjera izraelite, ku kushtet menjëherë u përkeqësuan.


Hersh Goldberg-Polin, Almog Sarusi dhe Ori Danino u ndanë më pas nga ne të tjerët, dhe nuk i pashë më kurrë.


Mbetëm Alon Ohel, Or Levi (Levy), Elia Kohen (Cohen) dhe unë (Aloni mbetet ende peng, tetë muaj pas lirimit tim).


Uria dhe sëmundjet ishin të zakonshme. Kutërbimi nga ujërat e zeza ishte i padurueshëm dhe krimbat ishin kudo.


Kapësit tanë u bënë gjithashtu më mizorë.


I lëshonin pamjet e 7 tetorit në një iPad; ne mund t’i dëgjonim nga dhoma tjetër.


Pamjet e vrasjeve dhe torturave dukej se i ngazëllenin ata. Këmbët tona ishin vazhdimisht të lidhura me zinxhirë (ndonjëherë me njëri-tjetrin) dhe na rrihnin e na poshtëronin rregullisht. Kjo zgjati deri në javën e fundit para lirimit tonë.


U lirova më në fund së bashku me Levi (Levy) dhe Ohad Ben Amin.


E gjithë ngjarja u shndërrua në një spektakël gjigant publik, me një atmosferë si karnaval që synonte të na poshtëronte.


Tufa burrash, grash dhe fëmijësh nga Gaza brohorisnin me entuziazëm duke thirrur “Allahu akbar” teksa na shëtisnin nëpër skenë, të detyruar të përsërisnim deklarata kundër vendit tonë.


Më detyruan të them se mezi prisja të ribashkohesha me gruan dhe vajzat e mia.


Ndërsa administrata Tramp (Trump) përpiqet të finalizojë një marrëveshje të gjithanshme paqeje, unë mendoj për izraelitët që ende mbahen peng nga Hamasi dhe shpresoj me gjithë zemër që të lirohen së shpejti.


Por, është e rëndësishme që bota të kuptojë se paqja e qëndrueshme mund të vijë vetëm nëse mposhtet ideologjia vrastare që pamë te Hamasi dhe tek ata që lidhen me të.


Ndryshimi i vërtetë do të kërkojë një refuzim të plotë të një kulture që adhuron vdekjen dhe një zgjim të dëshirës për të përqafuar dhe shijuar jetën.


Jam me fat që jam gjallë dhe e vlerësoj këtë fakt çdo ditë. Dhe, disi, do ta ribëj jetën time. Shpresoj që të gjithë mund ta arrijmë këtë.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page