VATIKAN | PAPA LEO XIV-të: JU FTOJ TË LUTEMI BASHKARISHT PËR NJERËZIT ME ÇRREGULLIME MENDORE.

Vatikan | Një në shtatë njerëz në botë sot jeton me një çrregullim mendor, shpesh në heshtje dhe i karakterizuar nga stigma dhe vetmia.
Për këtë arsye Papa Leo XIV-të i kushton qëllimin e tij të lutjes për muajin tetor kujdesit baritor të shëndetit mendor.
Përmes Rrjetit Botëror të Lutjes, Papa Leo XIV-të me fushatën “Lutuni me Papën”, i fton besimtarët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të luten që Kisha të bëhet një shtëpi e hapur, e aftë të shoqërojë pa gjykim dhe pa përjashtuar ata që përballen me vështirësi në shëndetin mendor.
Papa Leo XIV-të i paraqet Zotit vëllezërit dhe motrat e tij që përjetojnë vetmi, ankth, depresion ose sëmundje të tjera mendore, duke kujtuar se Zoti i thërret ata me emër dhe me butësi.
Ai kërkon falje për kohët kur komuniteti ka shikuar larg, duke ushqyer stigmën dhe diskriminimin, dhe lutet që Kisha të jetë një shtëpi e hapur, një hapësirë e sigurt që dëgjon pa gjykim dhe afrohet pa frikë.
Lutja shtrihet edhe tek ata që kujdesen për të tjerët - profesionistë, anëtarë të familjes dhe vullnetarë - duke kërkuar forcën dhe dhembshurinë e tyre.
Sipas Atlasit të Shëndetit Mendor 2024 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të prezantuar në muajin shtator të vitit 2025, më shumë se një (1) miliard njerëz në mbarë botën jetojnë me një çrregullim mendor.
“Pavarësisht kësaj, shpenzimet publike botërore për shëndetin mendor vazhdojnë të përfaqësojnë vetëm 2% të buxhetit të shëndetësisë, një shifër që ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2017”, - u tha në deklaratën e Vatikanit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments