VATIKAN | PAPA LEO XIV-të: INOVACIONI TEKNOLOGJIK DUHET TË JETË GJITHMONË NË SHËRBIM TË SË MIRËS SË PËRBASHKËT.

Vatikan | Papa Leo XIV-të priti në audiencë drejtuesit e shoqërisë tregtare “Mercedes-Benz” me rastin e ekspozitës: “Një shekull i Papamobilit”, e cila përkujton pothuajse njëqind vjet bashkëpunim midis saj dhe Selisë së Shenjtë.
Kjo marrëdhënie e gjatë filloi në vitin 1930, kur Papa Piu XI-të mori automobilin e parë “Mercedes-Benz”, dhe ka vazhduar gjatë gjithë pontifikateve të tij të mëvonshme.
“Prandaj, kam kënaqësinë t'ju shpreh mirënjohjen time juve dhe shumë brezave të projektuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve, përkushtimi dhe ekspertiza e të cilëve e kanë bërë të mundur këtë partneritet të qëndrueshëm”, - tha Papa Leo XIV-të.
Duke theksuar angazhimin e prodhuesit të automjeteve ndaj kërkimit teknologjik, i shënuar edhe nga automjeti i parë plotësisht elektrik i dhuruar Papa Françeskut, Papa Leo XIV-të i kërkoi shoqërisë tregtare “Mercedes-Benz” të vazhdojë ta vendosë inovacionin teknologjik në shërbim të dinjitetit njerëzor, kujdesit për krijimin dhe të mirës së përbashkët.
Ekspozita ofron një mundësi për të reflektuar mbi përparimet e jashtëzakonshme në teknologjinë e automobilave, si dhe mbi kuptimin më të thellë të udhëtimeve të ndërmarra nga pasardhësit e Pjetrit.
“Gjatë dhjetëvjeçarëve, automjeti papnor (Papamobile) ka evoluar nga një mjet i thjeshtë transporti në një instrument takimi, duke i lejuar Papës t'u afrohet besimtarëve gjatë vizitave baritore dhe festimeve publike.
Në këtë mënyrë, puna juaj ka kontribuar në çuarjen përpara të misionit të Kishës për t'u afruar njerëzve dhe për të sjellë një mesazh besimi, shprese dhe bamirësie në botë”, - tha Papa Leo XIV-të.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit








Comments