UKRAINA PO PËRGATITET PËR STUHINË BALISTIKE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 day ago
- 6 min read

Nga z. Maksim (Maksym) Beznosiuk* dhe z. Uilliam Dikson (William Dixon)*.
Uashington, Amerikë | Në fillim të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, analistët perëndimorë thanë se rezervat e saj të raketave do të zgjasnin gjashtë muaj.
Katër vjet më vonë, Moska prodhon më shumë se 100 armë balistike dhe me trajektore balistike çdo muaj dhe planifikon ta dyfishojë këtë numër deri në fund të vitit.
Putini e di se Ukrainës i mungojnë vazhdimisht raketat interceptuese për të rrëzuar raketat e saj balistike dhe kjo do të jetë një shqetësim i madh sapo të afrohet dimri.
Por ai gjithashtu e di se Ukraina tani ka mjetet për t'u kundërpërgjigjur. Kjo betejë në zhvillim nuk do të jetë e njëanshme dhe është absolutisht në interesin e Perëndimit të sigurohet që Rusia të vuajë po aq shumë, ose më shumë, dhimbje sa ajo shkakton.
Kremlini tani kërkon të shfrytëzojë një plagë të hapur. Lufta kundër Iranit ka pakësuar disponueshmërinë e interceptorëve të raketave Patriot dhe nuk ka ndonjë zgjidhje të dukshme, përveç miliona telefonatave të presidentit Volodimir Zelenski drejtuar aleatëve që kërkojnë më shumë.
Rusia po nxiton për të rritur prodhimin. Tani ajo prodhon raketa balistike shumë më shpejt sesa Shtetet e Bashkuara prodhojnë interceptorë PAC për t'i ndaluar ato.
Ky boshllëk nuk do të mbyllet së shpejti dhe, ndërkohë, kjo do të thotë probleme serioze për Ukrainën.
Ky dimër ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Shkalla e avantazhit të prodhimit të Rusisë është shqetësuese.
Brenda një jave të vetme, sipas Zelenskit, Rusia lëshoi 61 raketa, duke përfshirë 56 raketa balistike, më shumë se 1560 dronë sulmues dhe 1540 bomba ajrore, ndërsa intensifikoi gjithashtu sulmet ndaj hekurudhave, infrastrukturës së karburantit dhe objekteve të energjisë.
Kjo shkallë pasqyron aritmetikën e një gare prodhimi që Rusia po e fiton tani.
Vetëm në korrik, Moska qëlloi më shumë se dyfishin e raketave balistike dhe të lundrimit që përdori në qershor, 364 kundrejt 178, duke përfshirë një rritje prej 34% të raketave balistike dhe një rritje dhjetëfish të bombave të aviacionit të drejtuar.
Këto nuk janë pakësime të rezervave. Rusia ka rimbushur pjesën më të madhe të asaj që qëlloi dhe po grumbullon rezerva për të goditur edhe më fort.
Putini po zbaton atë që mund ta quajmë Parimi i Stalinit. Vendosni objekte kritike thellë në brendësi të vendit, mbrojini ato me mbrojtjen më të mirë ajrore të disponueshme dhe drejtoni ekonominë në shërbim të makinës ushtarake.
Fabrika e Ndërtimit të Makinerive Votkinsk, prodhuesi kryesor i raketave Iskander në Rusi, ndodhet 1500 km (mbi 900 milje) larg kufirit të Ukrainës, brenda ombrellës më të dendur të mbrojtjes ajrore të vendit.
Ka zgjeruar fuqinë punëtore, ka ndërtuar punishte të reja prodhimi dhe punon 24 orë në ditë.
Inteligjenca ukrainase vlerëson se kjo fabrikë dhe objekte të ngjashme do të jenë në gjendje të prodhojnë deri në 700 raketa balistike Iskander 9M723 vetëm këtë vit, me Rusinë që tashmë i ka tejkaluar objektivat e saj mujore; në korrik, ajo prodhoi 65 kundrejt 60 të planifikuara; dhe 87 raketa kruiz Kh-101 kundrejt 72 të planifikuara.
Të marra së bashku, linjat e saj të prodhimit mund t’i sigurojnë Moskës më shumë se 100 armë balistike ose me trajektore balistike çdo muaj.
Ukraina ka reaguar. Dronët e saj më pak të përparuar me rreze të gjatë veprimi kanë goditur megjithatë rafineritë ruse të naftës me frekuencë dhe saktësi të jashtëzakonshme.
Po kështu, objektet e drithërave dhe kantieret detare, ndërsa Krimea është praktikisht nën rrethim.
Marrë në tërësi, Ukraina është shumë më e aftë ta dëmtojë Rusinë sesa në çdo pikë më të hershme të luftës katërvjeçare, por ndërsa po godet fabrikat e raketave dhe pjesëve të tyre, ajo ende nuk e ka degraduar seriozisht prodhimin.
Aftësia në rritje e raketave balistike të Rusisë mundëson një doktrinë që ka qenë në fuqi që kur vijat e frontit u ngrinë: një fushatë sistematike infrastrukturore e projektuar për ta kthyer dimrin në armë dhe për ta bërë Ukrainën gjithnjë e më të paqeverisshme.
Që nga tetori, sulmet ruse kanë dëmtuar më shumë se 9 gigavat (GW) të kapacitetit termik, hidroenergjetik dhe të kombinuar të ngrohjes dhe energjisë, më shumë se gjysma e kapacitetit gjenerues prej afërsisht 17.6 GW të Ukrainës, të disponueshëm për sezonin e ngrohjes 2025-26.
Ukraina ka restauruar 4 GW dhe po garon për të restauruar edhe 6 GW të tjerë para sezonit të ngrohjes 2026-27.
Moska po kërkon të shkatërrojë më shpejt sesa mund të rindërtojë Kievi.
Dimri që vjen, vetëm disa muaj larg, do të jetë një provë e qëndrueshmërisë kombëtare dhe një garë midis bazës në zgjerim të prodhimit të sulmeve të Rusisë dhe mbrojtjes ajrore gjithnjë e më të shtrirë të Ukrainës dhe kapacitetit të riparimit të infrastrukturës.
Energjia është vetëm një pjesë e objektivit të vendosur. Që nga janari i vitit 2026, Rusia ka kryer 250 sulme kundër objekteve të Naftogaz, jo sulme të izoluara, por një fushatë e vazhdueshme për të ulur njëkohësisht prodhimin vendas të gazit dhe kapacitetin e riparimit të shkarkimeve.
Gjatë natës së 6-7 gushtit, Rusia kreu një nga sulmet e saj më të mëdha të kohëve të fundit ndaj Ukrnaftës, duke dëmtuar shtatë objekte prodhimi nafte dhe gazi në Ukrainën lindore dhe duke detyruar disa objekte të dalin jashtë funksionit.
Përhapja gjeografike dhe frekuenca tregojnë një objektiv të vetëm: ta detyrojnë Ukrainën të mbrojë një rrjet të shpërndarë objektesh që nuk mund të mbrohen të gjitha menjëherë me interceptorë të kufizuar.
Hekurudhat janë fronti i tretë. Brenda javës së fundit, Rusia thuhet se sulmoi hekurudhën e Ukrainës 41 herë, duke dëmtuar 11 lokomotiva.
Rusia po synon gjithashtu ekipet e riparimit. Efekti kumulativ është një krizë logjistike në lëvizje të ngadaltë; kapacitet i reduktuar për të lëvizur furnizime ushtarake, evakuuar civilë dhe eksportuar mallrat që Ukraina ka nevojë për të financuar mbrojtjen e saj.
A ka një përgjigje? Po. Ndihma perëndimore për sistemet e reja të raketave antibalistike ukrainase është thelbësore, dhe po kështu janë edhe rritja e dërgesave të interceptorëve Patriot - Zelenski tha më 13 gusht se i duhet të paktën një rritje pesëfish e stoqeve.
Por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Ukraina duhet të jetë në gjendje të sulmojë vendet e prodhimit në shumë fronte njëkohësisht.
Kjo do të thotë financimi i prodhimit masiv të armëve me rreze të gjatë veprimi, si Flamingo i prodhuar në Ukrainë dhe sisteme të tjera në zhvillim, plus sigurimi i inteligjencës, komponentëve dhe mbështetjes së synimeve të nevojshme për të goditur fabrikat e raketave, vendet e magazinimit dhe infrastrukturën e lëshimit brenda rrezes së veprimit.
Kjo do të thotë mbyllja e hendekut të sanksioneve, shtrëngimi i kontrolleve të eksportit dhe vendosja e sanksioneve dytësore kundër kompanive dhe vendeve që furnizojnë Rusinë me elektronikë dhe makineri të huaja.
Komponentë evropianë me përdorim të dyfishtë ende gjenden në armët e rikuperuara ruse. Ky nuk është një çështje dytësore. Është një kontribut i drejtpërdrejtë në raketat që godasin qytetet ukrainase.
Për sa kohë që aftësitë sulmuese të Ukrainës nuk mund të arrijnë vazhdimisht objektet e prodhimit që kanë më shumë rëndësi, Perëndimi në tërësi do të mbetet në anën humbëse të kësaj gare të prodhimit të raketave; mbani mend se zyrtarët e aleancës thonë se një sulm i hapur rus ndaj NATO-s deri në vitin 2029 është plotësisht i mundur.
Sigurisht, Evropa mund të fillojë më në fund të përballet me atë që deri më tani është shmangur politikisht; zgjerimin e mbulimit të mbrojtjes ajrore nga territori i NATO-s mbi Ukrainën perëndimore, një propozim i njohur si Sky Shield, duke i liruar kështu interceptorët e kufizuar të Kievit që të përqendrohen në rajonet më të ekspozuara ndaj sulmeve balistike në vend që të mbrojnë të gjithë vendin njëkohësisht.
Rusia ka kaluar katër vjet duke ndërtuar një bazë prodhimi të projektuar për t'i mbijetuar përgjigjes perëndimore. Ky dimër do të zbulojë nëse Ukraina dhe aleatët e saj mund ta kundërshtojnë atë.
*Z. Maskim (Maksym) Beznosiuk është analist, puna e të cilit përqendrohet në Rusi, Ukrainë dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai është një bashkëpunëtor i asociuar në GLOBSEC.
*Z. Uilliam Dikson (William Dixon) është bashkëpunëtor i lartë i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara dhe bashkëpunëtor i asociuar në GLOBSEC. Ai specializohet në çështjet kibernetike dhe të sigurisë ndërkombëtare.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)




Comments