TUNIZI | UDHËHEQËSI I TRETË I OPOZITËS RASHID GANUÇI (RACHED GHANNOUCHI) NISI GREVË URIE NË BURG.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 3 hours ago
- 2 min read

Tunis, Tunizi | “Udhëheqësi i burgosur i opozitës tuniziane, Rashid Ganuçi (Rached Ghannouchi), me moshë 84 vjeç, filloi një grevë urie, duke iu bashkuar dy politikanëve të shquar që po protestojnë kundër asaj që e quajnë burgosje të padrejtë”, thanë avokatët të shtunën, duke shënuar përshkallëzimin e fundit në një përplasje me Presidentin Kais Saied.
Shumica e udhëheqësve të opozitës në vend janë në burg dhe disa parti e kanë akuzuar Presidentin Saied se e ka shndërruar Tunizinë në një burg të hapur, ndërsa përdor gjyqësorin për të çimentuar sundimin e tij autoritar.
Z. Ganuçi (Ghannouchi) ndjek shembullin e politikanit të opozitës Jauhar (Jawhar) Ben Mbarek, i cili, ka qenë në një grevë urie të egër që nga java e kaluar.
Dhe udhëheqësi i Partisë Republikane Issam Çebi (Chebbi) filloi një grevë urie të premten, duke kërkuar lirimin e tij.
Z. Ganuçi (Ghannouchi), kreu i partisë Ennahda dhe një kritik i ashpër i Presidentit Saied, është mbajtur në paraburgim që nga viti 2023 dhe është dënuar me 37 vjet burg për raste të shumta, duke përfshirë financim të paligjshëm të huaj dhe komplot kundër shtetit.
Ai ka refuzuar të paraqitet në gjykatë, duke thënë se nuk do të përballet me gjyqtarët që ndjekin vetëm urdhrat e Presidentit Saied.
Avokatët, familjarët dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se shëndeti i z. Ben Mbarek është përkeqësuar ndjeshëm, ai po refuzon trajtimin dhe është në rrezik vdekjeje.
Autoriteti i Burgjeve Tuniziane mohoi se shëndeti i të burgosurve ishte përkeqësuar për shkak të grevave të urisë, duke thënë se ekzaminimet mjekësore treguan se kushtet ishin normale dhe të qëndrueshme, pa dhënë detaje shtesë.
Këtë vit, gjykatat dhanë dënime me burgim nga pesë deri në 66 vjet për udhëheqësit e opozitës, përfshirë z. Ben Mbarek dhe z. Çebi (Chebbi), me akuza që përfshijnë konspiracion kundër sigurisë shtetërore.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se këto ndjekje penale kanë synuar kundërshtarët politikë.
Opozita thotë se mbyllja e papritur e parlamentit të zgjedhur nga Presidenti Saied në vitin 2021 dhe lëvizja e tij për të sunduar me dekret ishte një grusht shteti.
Presidenti Saied e mohoi këtë, duke thënë se veprimet e tij ishin të nevojshme për të shpëtuar Tunizinë nga vitet e kaosit; ai i ka quajtur udhëheqësit e burgosur të opozitës kriminelë, tradhtarë dhe terroristë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments