TIRANË | PROKURORIA E POSAÇME DEPOZITOI NË GJYKATËN E POSAÇME KËRKESË PROCEDURIALE PENALE PËR KONFISKIMIN E PASURIVE ME VLERË RRETH 2 MILIONË € TË JUSEL MICIT DHE MENDIM DOMIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 hour ago
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) depozitoi në Gjykatën e Posaçme (GjKKO) kërkesën proceduriale penale për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth dy milionë € të sekuestruara të:
1- Z. Jusel Mici.
2- Z. Mendim Domi.
Njoftim | Në vijim të njoftimit tonë të datës 7.3.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara me vendimin nr.1 datë 7.2.2025 të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedimit pasuror nr.8 i vitit 2024 ndaj shtetasve Jusel Mici dhe Mendim Domi.
Të dy shtetasit janë subjekte të hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 dhe po gjykohen nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 166 të vitit 2021 për veprat penale* (shih shënimin për gazetarët).
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.
Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:
Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;
Automjete të markave BMW dhe Audi;
Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;
Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.
Totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për shtetasit J.M. dhe M.D. si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870 (një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) euro dhe 9,330,062 (nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbetet e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments