TALIBANËT NDALOJNË MBAJTJEN E KRAVATËS | E KONSIDEROJNË SIMBOL TË KRISHTERË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 28, 2023
- 2 min read

Kabul, Afganistan | “Ndaloni kravatën, sepse është simbol i krishterë”, tha një zyrtar taleban. “Është si kryqi, dhe ligji islam ju urdhëron ta thyeni atë”, vazhdoi ai. Kravata e veshur nga burrat simbolizon kryqin e krishterë, dhe është e papajtueshme me ligjin islamik, argumentoi sot një zyrtar i lartë i talebanëve afganë , duke kërkuar që ajo të ndalohet. Ndonjëherë kur shkoj në spitale, ose diku tjetër, shikoj një mjek, apo inxhinier musliman afgan mban kravatë, tha Mohammad Hashim Shahid Uror, kreu i një agjencie të ngarkuar me udhëzimin e njerëzve për t'iu përmbajtur vlerave islame. Simbolika e kravatës është e dukshme në Islam, argumentoi ai, në një konferencë shtypi të transmetuar nga kanali televiziv Tolo. Çfarë është kravata? Është kryqi (i krishterë). Sheriati (ligji islam) ju urdhëron ta thyeni dhe ta hiqni atë, shtoi ai. Talibanët nuk kanë zbatuar asnjë kod veshjeje për meshkujt pas kthimit të tyre në pushtet në muajin gusht të viti 2021. Nga ana tjetër, grave u kërkohet të mbulohen nga koka te këmbët, kur dalin nga shtëpitë e tyre. Krerët talebanë pothuajse të gjithë veshin “Salwar Kameez”, një palë pantallona të gjera me një këmishë, dhe jelek tradicional, si dhe një çallmë në kokë. Veshjet perëndimore janë bërë të rralla në dy vitet e fundit, por në disa profesione, burrat ende mbajnë një këmishë dhe kravatë. Qeveritë e mëparshme afgane ishin përpjekur gjithashtu të impononin kode veshjeje mbi popullatën, ose të paktën nëpunësit civilë. Për një dekadë, gjatë pushtimit sovjetik pas pushtimit të vitit 1979, nëpunësit civilë u nxitën të vishnin kostume perëndimore, në vend të veshjeve tradicionale. Ish-presidenti Ashraf Ghani, i cili u largua nga vendi kur talebanët mbërritën në Kabul, në vitin 2021, preferonte një kostum kur ishte jashtë vendit, dhe veshjet tradicionale në shtëpi. Luftëtarët talebanë mbanin “salwar kameez” ndërsa luftonin kundër qeverisë qendrore. Megjithatë, pas marrjes së pushtetit, forcat e tyre të armatosura adoptuan uniforma moderne ushtarake. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)














Comments