SOT FESTOHET DITA E SHENJTËRIMIT TË NËNË TEREZËS: MISIONARES SHQIPTARE TË KRISHTERË TË RITIT KATOLIK AGNES GONXHE BOJAXHIU E CILA LINDI NË SHKUP NË VITIN 1910.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 5, 2024
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Sot festohet dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares shqiptare që iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve dhe të pamundurve materialisht.
8 vite më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza - fituese e çmimit Nobel për Paqen - u shpall shenjtore
Papa Françesku njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj në vitin 1997.
Nënë Tereza u lumturua në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II.
Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj.
Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës.
Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.
Në ligjin “Për festat zyrtare” në Shqipëri u zëvendësua festa zyrtare e datës 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.
Misionarja shqiptare e krishterë e ritit katolik Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup, në vitin 1910.
Në vitin 1928 shkoi në Indi, ndërsa në vitin 1948 u bë qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.
Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.
Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)

















































Comments