top of page
E BARDHË SHIRIT.png

SHIRA TË RRËMBYESHËM NË KATALONJË: DY TË ZHDUKUR.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jul 13
  • 2 min read
ree

Katalonjë, Mbretëria e Spanjës | Dy persona rezultojnë të zhdukur në Katalonjë, në verilindje të Spanjës, pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin të shtunën pasdite.


Sipas shërbimit zjarrfikës, personat e zhdukur u rrëmbyen nga ujërat e fryra të lumit Fos në komunën e Kuveles (Cuvellès), rreth 50 kilometra nga Barcelona.


Siç njoftoi shërbimi nëpërmjet platformës sociale virtuale Iks (X), kërkimet po vazhdojnë si në brigjet e lumit ashtu edhe në grykëderdhjen e tij, me pjesëmarrjen e ekipeve të shpëtimit dhe njësive speciale.


Katalonja u vu në alarm të kuq; autoritetet dërguan mesazhe paralajmëruese në telefonat celularë të qytetarëve, duke i nxitur ata të kufizojnë lëvizjen dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.


Intensiteti i motit të keq krijoi përmbytje të menjëhershme që prekën jetën e përditshme të banorëve, si dhe infrastrukturën kritike, përfshirë spitalet.


Një nga incidentet më të rënda u regjistrua në një spital në Barcelonë, i cili, u detyrua të ndalonte pranimin e pacientëve të rinj për shkak të një ndërprerjeje të energjisë elektrike të shkaktuar nga përmbytjet.


Në të njëjtën kohë, një aeroplan me destinacion ShBA-ës që sapo ishte ngritur nga aeroporti i Barcelonës u detyrua të kthehej për shkak të dëmeve nga breshëri në pjesën e përparme të tij.


Stuhia e fortë pati gjithashtu një ndikim serioz në transportin hekurudhor.


Kompania spanjolle RENFE ndërpreu për disa orë të gjithë trenat me shpejtësi të lartë, si dhe trenat rajonalë dhe periferikë, në të gjithë Katalonjën.


Pavarësisht problemeve, sipas shërbimeve të urgjencës, më shumë se 70 persona morën kujdes shëndetësor, asnjëri në gjendje të rëndë. Alarmi i kuq zgjati dy orë, nga ora 17:00 deri në 19:00.


Përveç Katalonjës, edhe rajone të tjera në Spanjën veriore dhe lindore, si Aragona dhe Valencia, u prekën nga reshjet e shiut.


Një pjesë e Njësisë së Emergjencave Ushtarake (UME) u vendos madje në Aragon.


Valencia, e cila, tetorin e kaluar mbajti zi për 227 vdekje nga fenomene të ngjashme meteorologjike, po zgjon kujtime të tragjedisë, me autoritetet në gatishmëri për të shmangur një katastrofë të re humanitare.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page