SATELITI I RI EVROPIAN I MOTIT DHE KLIMËS U LËSHUA NË HAPËSIRË | QUHET METOP I GJENERATËS SË DYTË (METOP-SG-A1); U TRANSPORTUA NË ORBITËN POLARE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Aug 14
- 2 min read

Paris, Francë | I pari i serisë së re të satelitëve evropianë për motin dhe klimën është lançuar.
Quhet MetOp i Gjeneratës së Dytë (MetOp-SG-A1) dhe u transportua në orbitën polare në të cilën do të funksionojë nga raketa Ariane 6 e Agjencisë Hapësinore Evropiane, nga baza në Kourou (Guiana Franceze).
Sateliti katër tonësh mban instrumentin e ri Sentinel-5 për programin Copernicus të Bashkimit Evropian, i projektuar për të ofruar të dhëna kritike mbi ndotësit e ajrit, ozonin dhe gazrat e tjerë që lidhen me klimën.
“Lëshimi ishte i suksesshëm - tha ESA - dhe panelet diellore u vendosën në mënyrë korrekte”.
Një bashkëpunim midis ESA-s dhe EUMETSAT-it, Organizatës Evropiane për Menaxhimin e Satelitëve të Motit, misioni përfshin tre palë të njëpasnjëshëm satelitësh, secili i përbërë nga një satelit i Tipit A dhe një satelit i Tipit B, që mbajnë një sërë instrumentesh të ndryshëm, por plotësues.
Sateliti MetOp-SG-A1 është një satelit i Tipit A dhe përfshin spektrometrin Sentinel-5 për Copernicus, komponentin e vëzhgimit të Tokës të programit hapësinor të Bashkimit Evropian.
“Me kushtet e motit gjithnjë e më të çrregullta, parashikimet në kohë dhe të sakta nuk kanë qenë kurrë më thelbësore, dhe misioni MetOp-SG është vendosur të luajë një rol jetësor në përmirësimin e parashikimit të motit dhe monitorimit të klimës”, vëren znj. Simonetta Çeli (Cheli), Drejtoreshë e Programeve të Vëzhgimit të Tokës në ESA.
Sentinel-5 gjithashtu do të ofrojë të dhëna në kohë për monitorimin e ndotjes së ajrit.
Z. Fil (Phil) Evans, Drejtor i Përgjithshëm i Eumetsat, tha se:
1- “Lansimi i MetOp-SG-A1 është një hap i rëndësishëm përpara në pajisjen e shërbimeve kombëtare meteorologjike të Shteteve Anëtare me mjete më efektive për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur pronën dhe për të forcuar rezistencën ndaj krizës klimatike”.
Gjatë 40 viteve të fundit, ngjarjet ekstreme të motit i kanë kushtuar Evropës qindra miliarda euro dhe dhjetëra mijëra jetë njerëzore.
Roli i Italisë në mision është i rëndësishëm. Operacionet e lëshimit, vendosja e paneleve diellore dhe fazat kritike të lëshimit u menaxhuan nga Italia, përmes Qendrës Hapësinore Fuçino (Fucino), të menaxhuar nga Telespazio, një degë e grupit Leonardo.
Ky i fundit është i përfshirë si në misionin MetOp-SG-A1 ashtu edhe në instrumentin Sentinel-5 të programit Copernicus.
Për të dy misionet, Leonardo siguroi instrumente elektro-optike të prodhuara në vendin e saj në Campi Bisenzio (Firence).
Për z. Massimo Klaudio Komparini (Claudio Comparini), Drejtor Menaxhues i Divizionit Hapësinor të Leonardo-s, vëzhgimi i Tokës nga hapësira është një nga kufijtë më të rëndësishëm dhe strategjikë për planetin tonë, për të kuptuar dhe adresuar sfidat globale që lidhen me mjedisin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë.
“Në këtë skenar - tha ai - misionet MetOp-SG-A1, nga ESA dhe Eumetsat, dhe Sentinel-5 për Copernicus janë një pjesë e re e këtij vizioni dhe kësaj historie.
Ne vazhdojmë me një angazhim të shtuar për të hartuar zgjidhje që integrojnë teknologjitë më të fundit, teknologjitë dixhitale dhe inovacionin sistemik, duke shfrytëzuar ekspertizën industriale kombëtare dhe evropiane për të ndërtuar, përmes hapësirës, një të ardhme të qëndrueshme, të vetëdijshëm për këtë sfidë të rëndësishme”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments