top of page
E BARDHË SHIRIT.png

SAMITI I KATËRT NDËRQEVERITAR MIDIS ITALISË DHE TURQISË: U NËNSHKRUAN DHJETË MARRËVESHJE | SHKËMBIMET TREGTARE SYNOHET TË ÇOHEN NË 40 MILIARDË $ NGA 32 MILIARDË $ QË JANË AKTUALISHT.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 5 hours ago
  • 7 min read

Romë, Itali | Dhjetë marrëveshje të reja për të forcuar lidhjet ekonomike dhe për të hapur rrugë të reja për bashkëpunim dypalësh.

 

Ky është rezultati i samitit të katërt ndërqeveritar midis Italisë dhe Turqisë, i cili, u zhvillua sot në Romë në Villa Pamphilj, së bashku me një forum biznesi në Hotel Parco dei Principi (Parku i Princërve).

 

Në prani të kryeministres Xhorxha (Giorgia) Meloni dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, delegacionet ministrore të të dy vendeve nënshkruan marrëveshjet si pjesë e një strategjie më të gjerë për të rinisur partneritetin strategjik.

 

Marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë një memorandum midis ministrisë së Ndërmarrjes dhe Made in Italy dhe ministrisë Turke të Industrisë dhe Teknologjisë për bashkëpunim në fushat e shkencës, teknologjisë, inovacionit, industrisë dhe investimeve, si dhe një marrëveshje midis Agjencisë Italiane Hapësinore dhe homologes së saj turke për bashkëpunim në aktivitetet hapësinore për qëllime ekskluzivisht paqësore.

 

Gjithashtu, u nënshkrua një marrëveshje midis ministrive përkatëse të Kulturës për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të mallrave kulturore, për bashkëpunimin muzeal dhe për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike.

 

Një protokoll i mëtejshëm parashikon bashkëpunim midis arkivave të ministrisë italiane të Kulturës dhe Arkivit Shtetëror të presidencës turke.

 

Memorandume të tjera kishin të bënin me bashkëpunimin në fushën e politikave rinore dhe sporteve, si dhe midis ministrisë italiane për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe ministrisë turke të Shërbimeve Familjare dhe Sociale, me qëllim forcimin e sinergjive në fushën e përfshirjes sociale.

 

Palët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për bashkëpunim më të ngushtë në përdorimin e korridoreve ndërkombëtare të transportit, në përputhje me strategjitë e infrastrukturës euroaziatike, në të cilat të dy vendet luajnë një rol kyç.

 

Gjatë kësaj dite u rilançua zyrtarisht deklarata e përbashkët midis ministrisë së Punëve të Jashtme italiane dhe ministrisë së Tregtisë Turke mbi promovimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, me vëmendje të veçantë në mbështetjen e tregtisë, investimeve dhe bashkëpunimit industrial.

 

Pastaj është marrëveshja për punën dhe shërbimet sociale, tashmë e finalizuar në muajt e fundit, si dhe memorandumi i mirëkuptimit midis Leonardo dhe Baykar Technologies, i nënshkruar marsin e kaluar në sektorin e industrisë së mbrojtjes.

 

Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është me rëndësi të veçantë në marrëdhëniet midis Italisë dhe Turqisë.

 

Marrëveshja midis Leonardo dhe Baykar, një kompani kryesore turke në prodhimin e dronëve, parashikon krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët.

 

Në veçanti, marrëveshja ka të bëjë me prodhimin e përbashkët të dronëve, duke përfshirë modele të përparuara si Akinci gjashtë tonësh, i aftë të mbajë ngarkesa sulmuese deri në një ton, dhe TB2, një dron vetëvrasës më i lehtë.

 

Aktivitetet e prodhimit do të zhvillohen si në Itali ashtu edhe në Turqi. Në Itali, prodhimi do të zhvillohet në fabrikat e Piaxhos (Piaggio) në La Specia (Spezia) për montimin, dhe në Ronçi dei Lexhonari (Ronchi dei Legionari) për prodhimin e komponentëve aeronautikë.

 

Prodhimi i komponentëve elektronikë do të përqendrohet në Romë. Ndërmarrja e përbashkët planifikon të fillojë prodhimin në fillim të vitit 2026.

 

Objektivi i ri i vendosur sot në samitin ndërqeveritar për të përmirësuar më tej marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Italisë është arritja e 40 miliardë dollarëve në tregti.

 

Ne e kemi tejkaluar objektivin e një tregtie prej 30 miliardë dollarësh të vendosur nga samiti i fundit ndërqeveritar (i mbajtur në vitin 2022 në Ankara) pesë vjet përpara afatit. Kjo na shtyn ta ngremë standardin edhe më tej”, tha kryeministrja Xhorxha (Giorgia) Meloni.

 

Në fakt, në vitin 2024, vëllimi i tregtisë tejkaloi 32 miliardë dollarë.

 

Sot, shpjegoi kryeminsitrja Meloni, u nënshkrua një deklaratë e përbashkët që konfirmon soliditetin e marrëdhënieve midis kombeve tona dhe hedh themelet për të forcuar më tej partneritetin tonë.

 

Italia - shtoi ajo - është partneri i parë tregtar i Turqisë në zonën e Mesdheut, i dyti në Evropë, me një tregti që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke shkuar nga 26 miliardë dollarë në vitin 2023 në një rekord prej mbi 32 miliardë dollarësh në vitin 2024, një dinamikë në të cilën, ndër të tjera, eksportet italiane kanë luajtur një rol vendimtar, duke regjistruar një rritje prej mbi 28 përqind vitin e kaluar”.

 

Vendimi i Baykar për të blerë Piaggio Aerospace dhe më pas për të krijuar një aleancë italo-turke me Leonardo në zhvillimin, prodhimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve ajrore pa pilot - theksoi kryeminsitrja Meloni - është një marrëveshje e rëndësishme që parashikon krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët me seli në Itali që do të na lejojë të rrisim pikat tona të forta përkatëse, por edhe të hapim mundësi të reja tregu, veçanërisht në Evropë”.

 

Bashkëpunimi midis Italisë dhe Turqisë - vërejti ajo - është qartësisht gjithëpërfshirës”.

 

Kryeministrja Meloni shpjegoi se do të ndërtohet një shtyllë kurrizore dixhitale e teknologjisë së fundit, afërsisht katër mijë kilometra e gjatë, që do të kalojë Mesdheun dhe do të përmirësojë lidhjen midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

 

Ne po forcojmë gjithashtu bashkëpunimin në fushën e energjisë, një kontekst në të cilin ne jemi tashmë partnerë strategjikë, veçanërisht për furnizimin me gaz natyror përmes TAC-it”, shtoi kryeministrja.

 

Ne synojmë ta thellojmë këtë fushë bashkëpunimi, të shfrytëzojmë mundësitë që mund të lindin në të ardhmen si për burimet e rinovueshme ashtu edhe për hidrogjenin.

 

Për më tepër - vazhdoi kryeminsitrja Meloni - ne konsolidojmë bashkëpunimin tonë në fushën e hapësirës, ​​në zhvillimin e infrastrukturës dhe në transport duke filluar nga hekurudha me shpejtësi të lartë, në vlerësimin e pasurive tona kulturore dhe arkeologjike, në sport dhe arkeologji”.

 

Për kryeministren, është thelbësore që të mos ketë pengesa në luftën kundër organizatave kriminale dhe trafikantëve të qenieve njerëzore.

 

Si për Turqinë ashtu edhe për Italinë, çështja e migracionit është me interes të veçantë, pasi të dy vendet ndodhen në dy rrugë të rëndësishme të flukseve të parregullta që çojnë në Bashkimin Evropian.


Bashkëpunimi në fushën e migracionit ka çuar vitet e fundit në eliminimin e konsiderueshëm të largimeve të emigrantëve të parregullt nga brigjet turke”, shpjegoi kryeministrja Meloni.

 

Italia dhe Turqia kanë një rrugë të gjatë për të bërë së bashku - shtoi ajo - por me samitin e sotëm po hedhim themelet në mënyrë që të mund të ndërmerren hapa të mëtejshëm përpara në muajt dhe vitet e ardhshme.


Mendoj se duhet të jemi krenarë për punën që kemi kryer së bashku dhe jam e bindur se kjo do të na lejojë gjithashtu të çlirojmë potencialin e pashfrytëzuar të miqësisë sonë të fortë”, përfundoi kryeminsitrja Meloni.

 

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan (Recep Tayyip Erdogan), falënderoi qeverinë italiane për organizimin e samitit ndërqeveritar dhe forumit të biznesit në Romë, duke vlerësuar gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe.

 

Jam i bindur se qëllimi i tregtisë prej 40 miliardë dollarësh do të arrihet në një kohë të shkurtër”, tha presidenti Erdogan gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministren Meloni.

 

Presidenti turk, pas deklaratës së kryeministres Meloni theksoi faktin se Italia është aktualisht ndër pesë partnerët kryesorë tregtarë të Turqisë.

 

Lidhjet midis dy ekonomive - vuri në dukje presidenti turk - shtrihen në sektorë strategjikë si tekstilet, kimikatet, farmaceutika, industritë automobilistike dhe mekanike”.

 

Presidenti Erdogan theksoi se gjatë njëzet viteve të fundit, mbi 1500 kompani italiane kanë investuar në Turqi me një vlerë totale prej afërsisht 5 miliardë dollarësh, ndërsa paralelisht, kompanitë turke kanë bërë investime të konsiderueshme në Itali.

 

Këto investime të ndërsjella - nënvizoi ai - kontribuojnë ndjeshëm në frymën e partneritetit strategjik që bashkon vendet tona, duke forcuar strukturën industriale dhe perspektivat për rritje të përbashkët”.

 

Mbi këtë bazë, presidenti Erdogan tha se Turqia është e gatshme të punojë me Italinë në projekte të përbashkëta energjetike në Mesdhe që mund të sjellin dobi për të dy vendet dhe për të gjithë rajonin.

 

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Italinë edhe në luftën kundër emigracionit të parregullt”, shtoi ai, duke nënvizuar se bisedimet e sotme prekën edhe çështje të bashkëpunimit kulturor, arsimit, sportit dhe lëvizshmërisë.

 

Siç e dini, si demonstrim i miqësisë sonë, ne do të jemi bashkëorganizatorë të Kampionatit Evropian të Futbollit 2032 me Italinë”, tha ai.

 

Duke folur në mbyllje të Forumit të Biznesit së bashku me kryeministren Meloni, presidenti Erdogan theksoi se bashkëpunimi ekonomik nuk zhvillohet vetëm nëpërmjet përpjekjeve të qeverive dhe se edhe komuniteti i biznesit duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e tij.

 

Sot i kemi hequr pengesat dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Presim që qarqet tona të biznesit të vazhdojnë me vendosmëri përgjatë shtigjeve të trasuara.


Dyert e Turqisë do të jenë të hapura për të zgjidhur çdo problem. Nuk kam dyshim se Meloni do të na ofrojë të njëjtën lehtësi në Itali”, tha presidenti Erdogan.

 

Në vitet e ardhshme partneriteti do të çohet në nivele edhe më të larta. Kompanitë turke e shohin Italinë si një portë hyrëse për tregun evropian. Ne do të donim që kompanitë italiane ta shihnin Turqinë si një portë hyrëse për rajonin e Lindjes së Mesme në të njëjtën mënyrë”, tha presidenti turk.

 

Në këtë drejtim, ministri i Ndërmarrjes dhe Prodhimit në Itali, Adolfo Urso, duke folur gjatë forumit të biznesit, vërejti se është e nevojshme të rriten investimet turke në Itali.

 

Tashmë sot ekzistojnë ato të Beko-s, të cilat blenë fabrikat Whirlpool falë punës së shkëlqyer të familjes Koc dhe homologut tim Kacir”, tha ministri Urso, duke përsëritur rëndësinë e investimeve të Baykar në fabrikën Piaggio Aerospace, si dhe marrëveshjen me Leonardo-n në fushën e mbrojtjes.

 

Në një moment të vështirë për ekonominë globale, Italia dhe Turqia demonstrojnë se bashkëpunimi është rruga përpara: ne përfaqësojmë dy mushkëritë e rritjes ekonomike në makro-zonën euro-mesdhetare”, nënvizoi ministri.

 

Epoka e globalizimit të tregtisë ka mbaruar. Pas një pandemie globale, konfliktesh të shumta, sanksioneve dhe barrierave tarifore, Evropa duhet të ndjekë një drejtim të ri: atë të Azisë Jugore dhe Juglindore Globale”, vuri në dukje ministri Urso.

 

Në këtë drejtim, sipas ministrit të Ndërmarrjes dhe Prodhuar në Itali, Roma dhe Ankaraja mund të hapin një fazë të re.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page