RAPORTET DIPLOMATIKE MES JAPONISË DHE REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS KANË PREKUR FUNDIN | DY PANDAT E FUNDIT DO TË LARGOHEN NGA KOPSHTI ZOOLOGJIK I TOKIOS.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 2 min read

Tokio, Japoni | Me mijëra japonezë u prekën dhe u tronditën në Kopshtin Zoologjik Ueno, në veri të Tokios, pasi u dhanë lamtumirën e fundit Shiao-Shiaos (Xiao-Xiao) dhe Lei-Leit, dy pandave të fundit gjigante të vendit, përpara kthimit të tyre në Kinë, i planifikuar për të martën.
Ngjarja shënoi fundin e një epoke, shpjeguan mediat vendore.
Për herë të parë që nga viti 1972, kur Pekini i dhuroi një palë ekzemplarë Japonisë me rastin e normalizimit të marrëdhënieve diplomatike, “Toka e Diellit që Lind” do të mbetet pa këto kafshë ikonike.
Në ditën e fundit të Kopshtit Zoologjik Ueno, hyrja ishte e kufizuar në 4400 persona, të përzgjedhur me llotari nga mbi 108000 aplikantë - gati 25 herë më shumë se numri i vendeve të disponueshme.
Pavarësisht kësaj, shumë vizitorë vërshuan në kopshtin zoologjik, duke shpresuar për një lamtumirë të fundit.
Të lindur në vitin 2021 nga një çift kafshësh të marra hua për kërkime mbi mbarështimin, dy këlyshët - në pronësi të Kinës sipas marrëveshjeve ndërkombëtare - do të largohen nga Japonia mes tensioneve të përtërira në marrëdhëniet dypalëshe.
Perspektivat e një kredie pandash të re thuhet se janë komplikuar nga deklaratat e fundit të Kryeministres Sanae Takaiçi (Takaichi) në lidhje me mbrojtjen e mundshme të Republikës së Kinës (Tajvanit) në rast të një sulmi kinez, të cilat, kanë zemëruar Republikën Popullore të Kinës.
Për dekada të tëra, Republika Popullore e Kinës e ka përdorur pandën si një mjet të diplomacisë kulturore - të ashtuquajturën “Diplomaci pandash” - duke e lidhur praninë e saj me gjendjen e marrëdhënieve politike.
Kjo nuk është vetëm një ngjarje simbolike; për më shumë se gjysmë shekulli, pandat kanë qenë një forcë lëvizëse në turizëm dhe ekonomi, duke nxitur shitjet e mallrave dhe pjesëmarrjen rekord në kopshtet zoologjike.
Largimi i Shiao-Shiaos (Xiao Xiao) dhe Lei-Leit vjen pas largimit të katër pandave të tjera nga “Adventure World në Wakayama”, në perëndim të Tokios, të cilat u kthyen në qershor.
Binjaket do të transferohen në një strukturë në provincën Sishuan (Sichuan), ku do të ekspozohen për publikun sapo të mbarojë karantina e tyre.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)




















Comments