PËR MASAKRËN E KRYER NË BURGUN E DUBRAVËS DO TË NGRIHET AKT-AKUZË PENALE | PAS 23 VITESH.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 3, 2023
- 1 min read

Prishtinë, Kosovë | Së shpejti do të ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarve për masakrën e Dubravës. Këtë e konfirmoi për Radio Televizionin e Kosovës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina.
Ai tha se hetimet për këtë masakër tashmë kanë përfunduar. “Kemi arrestuar një të dyshuar për masakrën e Dubravës, hetimet janë duke u zhvilluar që një kohë të gjatë. Ne, kemi përfunduar hetimet në këtë rast, dhe jemi në fazën e vlerësimit të provave, për mundësinë që brenda javësh, për të mos thënë muajsh, të ngrejmë një aktakuzë në këtë rast”, tha prokurori Morina. Rasti i dytë, sipas tij, është ai i Staradranës, ku janë vrarë 16 civilë.
“Edhe në atë rast kanë përfunduar hetimet, jemi në përpunimin e dosjes, me mundësinë që brenda javësh, ta ngrisim aktakuzën”, shtoi ai.
Por, problemet politike, si bashkëpunimi me Serbinë, janë faktori kryesor që pengojnë hetimin e këtyre rasteve.
“Fatkeqësisht ne kemi vetëm mundësinë e parë - mbledhjen e provave në territorin e Kosovës. Me Serbinë mungon bashkëpunimi, që fatkeqësisht është pengesë e madhe në punën tonë. Të gjithë të pandehurit janë të arratisur, dhe presupozojmë, e për disa edhe e dime, se jetojnë në Republikën e Serbisë”, nënvizoi prokurori Morina.
Prokurori Special tha se me rritjen e numrit të hetuesve, është mundësuar mbledhja e fakteve, dhe se po bëhet më shumë punë, për zbardhjen dhe dënimin e kryerësve të krimeve të luftës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)















Comments