top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PUTINI KËMBËNGUL; TRAMPI (TRUMP) HEZITON; PAQJA E DREJTË PËR UKRAINËN ENDE DUKET SHUMË LARG.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Sep 4
  • 4 min read
ree

Nga znj/znjsh. Olga Çiz (Chyzh).

Toronto, Kanada | Javët e fundit kanë sjellë një valë aktiviteti që është paraqitur si përparim në procesin e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.


Megjithatë, për ukrainasit realiteti mbetet i pandryshuar: sulmet ajrore vazhdojnë të gjëmojnë mbi qytetet e tyre, shtëpitë ende digjen, jeta ende humbet.


Në këtë sfond të zymtë, udhëheqësi rus, Vladimir Putin, duket mëse i kënaqur teksa shijon pritjen me tapet të kuq që i ofrohet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.


Danlld Tramp (Donald Trump), i cili, e ka vetëshpallur veten si ndërmjetës i këtij konflikti, pothuajse e ka shteruar fjalorin e kundërthënieve.


Disa ditë ai thotë se vetëm ai mund ta përfundojë këtë luftë. Pastaj këmbëngul se bisedimet e paqes duhet t’u lihen palëve.


Herë mburret se Putini “e respekton”, në rastet e tjera e qorton Putinin për “çmendurinë e tij”.


Këtë muaj, Tramp (Trump) luhatej mes vendosjes së trupave amerikane në tryezë dhe përjashtimit të kësaj mundësie.


Tani thuhet se, për këtë qëllim, po shqyrton përdorimin e kompanive private ushtarake amerikane.


Për ata që vëzhgojnë - qoftë në Kiev, Moskë, Uashington e më gjerë - efekti është marramendës.


Politika e improvizimit nuk është strategji. Dhe, në një luftë ku jeta varet nga besueshmëria e angazhimeve amerikane, paparashikueshmëria nuk është forcë. Është të heqësh dorë.


Pra, çfarë po bën Tramp (Trump), përveç ambicieve për çmimin Nobel për Paqe?


A ka kuptuar më në fund se Putini nuk ka asnjë interes për një traktat që nuk përmbush synimet e tij maksimaliste?


Apo, është thjesht një kapitull tjetër nga një skenar i njohur - kryetitujt, fillimisht imazhi, strategjia pak më vonë - ku koston nuk do ta paguajë Uashingtoni, por rrugët e Kievit?


Pas një procesi të gjatë mësimi, Tramp (Trump) më në fund mund ta kuptojë se Putini e ka përdorur atë - se ata të dy nuk janë miq të ngushtë siç ai imagjinonte dikur.


Një shembull është kërcënimi i tij i përsëritur për të vendosur sanksione dhe tarifa të reja ndaj Rusisë.


Megjithatë, Tramp (Trump) ka treguar vazhdimisht gatishmërinë për të falur dhe harruar, për sa kohë që Putini premton sërish se kësaj here do të jetë ndryshe.


Ndërkohë, Ukraina duket se ka gjetur një rrugë anësore për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake nga ShBA-ja, edhe pse me një kosto të madhe.


Me financim evropian, Kievi mund të vazhdojë të blejë armë amerikane, ndërkohë që Ukraina dhe BE-ja rrisin prodhimin.


Nuk është zgjidhja më e mirë, por mban gjendjen aktuale; Ukraina mbijeton, Trampi (Trump) merr meritën për fitimet nga armët amerikane, ndërsa Evropa e mban Rusinë të zënë diku tjetër.


Për sa kohë që kjo marrëveshje mbetet në fuqi, lufta do të vazhdojë. Rusia do të vazhdojë të sulmojë, por nuk do ta mposhtë Ukrainën.


Dhe, në mungesë të një udhëheqjeje të vërtetë amerikane, konflikti do të vazhdojë për aq kohë sa Putini mund të dërgojë njerëz në front.


Në të njëjtën kohë që Ukraina lufton për mbijetesë, Putini po luan një lojë krejt tjetër.


Ai është fitues i papritur në këtë tmerr. I paaftë për të fituar avantazh në tryezën e bisedimeve nëpërmjet fitoreve në fushëbetejë, ai është kthyer te mjetet që i kanë shërbyer prej dekadash; errësimi, manipulimi dhe shtypja e kundërshtarëve.


Putini mund të mos i ketë siguruar ende të gjitha dëshirat që ka në listë, por ai është gjithçka tjetër përveçse i padurueshëm.


Ndryshe nga udhëheqësit demokratikë, Putini nuk përballet me mekanizma kontrolli - është i vetëm në një rreth të brendshëm elitash ushtarake dhe konservatore me botëkuptim imperialist.


Për ta, Ukraina nuk është thjesht një territor tjetër që mund të shkëmbehet për të ndihmuar në rritjen e egos së Trampit (Trump). Është çelësi për rikthimin e madhështisë së humbur të Rusisë.


Putini gjithashtu e kupton se audienca amerikane dëshiron qartësi; ata lodhen shpejt nga bisedimet e zgjatura dhe mesazhet e paqarta.


Lodhja bëhet aleate e Putinit. Mërzia, telefonatat, vizitat që nuk sjellin asgjë - këto nuk janë dështime të diplomacisë.


Ato janë strategjia. Sapo lufta të zhduket nga titujt kryesorë, shpresa e tij është të arrijë një marrëveshje në hije; sanksionet të hiqen, ndihma për Ukrainën të pezullohet.


Për Putinin, çdo orë konfuzioni është investim. Pyetja është nëse dikush tjetër në tryezë ka durimin për ta kuptuar këtë.


Humbësi i vërtetë në këtë situatë, përveç Ukrainës, është vetë Trampi (Trump).


Pavarësisht pozave të tij, ai rrezikon ta nënvlerësojë veten nëse ambiciet e tij ndalen te një medalje në Oslo.


Ai imagjinon më shumë - dhe mund t’ia dalë madje. Nëse del me një politikë të qartë për t’i dhënë fund luftës, ky mund të jetë momenti i tij “Reganian”; një mundësi për t’u çmuar si shpëtimtar i botës së lirë.


Trampi (Trump) nuk gabon kur thotë se Xhëu Baidn (Joe Biden) ishte tepër i kujdesshëm për të marrë një rol të tillë. Trampi (Trump), për dallim, mund ta bëjë.


Nëse Putini e respekton apo jo personalisht, kjo është e diskutueshme, por Putini e respekton fuqinë ushtarake të ShBA-ës.


Dhe, ka opsione të qasshme, shumë larg luftës së përgjithshme; ndër të tjera janë projektligji dypartiak Graham-Blumenthal, zgjerimi i mbështetjes ajrore, heqja e kufizimeve për raketat dhe rritje të mëdha në ndihmën e drejtpërdrejtë ushtarake.


Si çdo autokrat, Putini mund të detyrohet. Baideni (Biden) ishte shumë i ndrojtur për ta provuar këtë ide.


Trampi (Tramp) mund të mos jetë. Në fund të fundit, paparashikueshmëria është karta e tij më e fortë.


Nëse Trampi (tramp) e detyron Putinin të tërhiqet dhe ta përfundojë luftën, ai do të siguronte trashëgiminë si një hero i papritur.


Por, nëse lejon që Putini të diktojë rezultatin, lavdia do t’i takojë Moskës.


Historia nuk do të regjistrojë një paqebërës, por një president që ndihmoi Rusinë - kundërshtaren e kahershme të ShBA-ës - të rikthejë pozitën e saj imperialiste duke vulosur rënien e hegjemonisë amerikane.


*(Autorja është profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Torontos dhe hulumton mbi dhunën politike dhe regjimet shtypëse).


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page