NDESHJA SHQIPËRI-POLONI | POLICIA SHPALL KUFIZIME NË QARKULLIMIN RRUGOR NË TIRANË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 9, 2023
- 3 min read

Tiranë, Shqipëri | Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave, që lidhen me mbarëvajtjen e ndeshjes ndërkombëtare të topakëmbasit (futbollit), midis skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë, dhe asaj të Polonisë. Ndeshja do të luhet ditën e diel, në orën 20:45, në stadiumin “Ajri i Shqipërisë” (Air Albania). Policia ka njoftuar bllokimin e disa akseve rrugore, kontrolle të imtësishme, dhe ka rikujtuar tifozët për dënimet që parashikon ligji në rast të akteve të huliganizmit. “Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet”, thuhet në njoftimin policor. Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë, dhe pas zhvillimit të ndeshjes. 1- Shoqërimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Polonisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas. 2- Shoqërimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium. 3- Kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit, dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët. 4- Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por, edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës. 5- Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës. 6- Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit. Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët:
• Federata Shqiptare e Futbollit;
• Policia Bashkiake;
• Shërbimi Zjarrfikës;
• Shoqëritë Private të Sigurisë Fizike (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
• Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Përpos sa më lart, janë vendosur kontakte, dhe po bashkëpunohet, edhe me personelin e shërbimit të sigurisë, të ekipit të futbollit të Polonisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 10 shtator 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore, në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
1- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit.
2- Rruga “Papa Gjon Pali II”.
3- Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
4- Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së.
5- Rruga “Themistokli Gërmenji”.
6- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut.
7- Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”.
8- Rruga “Jul Variboba”, pranë postës.
9- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës.
10- Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike monedha metalike, çadra, çakmak, karikues telefoni dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Me këtë rast, informojmë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50000 deri në 100000 lekë.
Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës, ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndajsportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00.
Apelojmë për tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë, dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të të mos krijohen radhë, ose vonesa, dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit- tha Policia e Shtetit në deklaratën e saj.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

___.png)















Comments