MBRETËRIA E BASHKUAR | ORGANIZATA JOQEVERITARE “AMNESTY INTERNATIONAL”: NË BURGJET E SALVADORIT KRYEN KRIME KUNDËR NJERËZIMIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 3 hours ago
- 1 min read
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Organizata joqeveritare “Amnesty International” ka denoncuar se regjimi i jashtëzakonshëm i vendosur në Salvador nga presidenti Naib (Nayib) Bukele mund të përbëjë krime kundër njerëzimit.
Sipas raportit, “Siguri pa të Drejta”, që nga fillimi i luftës kundër bandave kriminale në vitin 2022, mbi 90 mijë veta janë arrestuar arbitrarisht dhe të paktën 470 vdekje janë dokumentuar në qendrat shtetërore të paraburgimeve.
Organizata theksoi abuzime serioze dhe shkelje sistematike të të drejtave të njeriut.
Dokumenti vëren se në disa raste, u regjistruan lëndime që nuk përputheshin me shkaqet zyrtare të vdekjes ose provat e dhunës fizike dhe neglizhencës mjekësore.
Drejtoresha rajonale Ana Piker (Piquer) dënoi gjithashtu pandëshkueshmërinë që rrethonte këto ngjarje, duke deklaruar se asnjë nga këto vdekje nuk ka çuar në një hetim efektiv për të identifikuar ata që janë përgjegjës.
Edhe pse ulja e ndjeshme e krimit i ka siguruar presidentit Bukele popullaritet të madh politik, strategjia e tij e sigurisë vazhdon të ngrejë alarm ndërkombëtar.
Sipas organizatës joqeveritare “Amnesty International”, ndalimet masive, raportet e përsëritura të torturës dhe zhdukjet me forcë nuk janë incidente të izoluara, por një model vërtet i organizuar i abuzimeve shtetërore në shkallë të gjerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)






Comments