MASHTRIMI ME MIKROKREDITË: TË DYSHUARVE U SEKUESTROHEN LLOGARI BANKARE NË VLERË 10 MLN € | ADMINISTRATORË TË MCA + FINAL + ADCA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 30, 2024
- 4 min read
Tiranë, Shqipëri | Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi llogaritë bankare në një vlerë totale prej 10 milionë eurosh, në zotërimin e të dhjetë qytetarëve dhe 3 subjekteve financiare të mikrokredive nën akuzë për veprën penale të “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga aktet e administruara, rezultoi se shtetasit A.M., K. S., E.I. dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet “Microcredit Albania” shpk dhe “Final” shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme.
Për to, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarwve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.
Ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto shuma monetare, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare për shtetasit: A.M., E.C., O.I., E.I., A.G., A.Gj., V.B., A.G., J.M., E.M., dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.
Shtetasit në fjalë, kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%.
Skema e mashtrimit me kreditë është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës ku subjektet Micro Credit Albania ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre ishin subjekt i hetimit.
Gjykata e Tiranës ka caktuar 9 masa sigurie me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës për skemat mashtruese me mikrokreditë për akuzën e “skema mashtruese dhe piramidale”.
Nga 9 masa sigurie në total, 5 prej tyre janë arrest në burg dhe 4 arrest në shtëpi.
1 – “Arrest në burg” për shtetasin Aldo Daka.
2 – “Arrest në burg” për shtetasin Albert Gega.
3 – “Arrest në burg” për shtetasin Edmond Mato.
4 – “Arrest në shtëpi” për shtetasen Kejda Seferi.
5 –“Arrest në shtëpi” për Elda Ibro.
6 – “Arrest në shtëpi” për shtetasen Jorsida Dervishi.
7 – “Arrest në burg” për shtetasin Arben Meskuti.
8 – “Arrest me burg” për shtetasin Alban Kote.
9 – “Arrest në shtëpi” për shtetasen Alketa Tanushi.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga aktet e administruara rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite.
Me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes.
Ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja.
Duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.
Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.
Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.
Micro Credit Albania aplikonte 10 % kamatë vonesë vjetore.
Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit.
Sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë “Micro Credit Albania” Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë.
Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 lekë.
Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.
Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Po kështu u provua se shtetasja Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të “Vjedhjes”.
Ndërsa shtetasit A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes.
Parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “vjedhjes”.
Të gjithë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)






















Comments