KPA SHKARKOI ALFRED BALLËN | TASHMË I NDALOHET TË USHTROJË FUNKSIONE NË DREJTËSI PËR 15 VJET.
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 21, 2024
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi nga detyra z. Alfred Balla, i cili, ushtron funskionin e kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ai nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi në muajin qershor të vitit 2023 vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për përfundimin e vettingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Z. Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017.
Por vettingu u ndërpre pa vendim.
Z. Ballhysa e cilësoi vendimmarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkoi ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vettingut, kërkoi që ndaj z. Balla të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshirë dhe funksionin që ai mban aktualisht.
“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit Publik, duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar.
Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën.
Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, thuhet në vendimin e KPA-së.
“…Subjekti i rivlerësimit i është drejtuar me kërkesë me shkrim Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar njohjen/pasjen e statusit të këshilltarit ligjor pranë Gjykatës së Lartë”, vëren z. Ballhysa dhe sqaron se KLGJ në vitin 2020 e ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës me argumentin se kjo çështje ishte duke u trajtuar në gjykatë.
“…Të gjitha veprimet e kryera prej tij lidhur me procesin e rivlerësimit, përfshirë edhe vetë heqjen dorë nga e drejta e padisë së paraqitur për gjykim nga subjekti i rivlerësimit, z. Alfred Balla, përpara juridiksionit gjyqësor administrativ, si dhe heqjen dorë nga kërkesa për njohjen/pasjen e statusit të Këshilltarit/Ndihmësit ligjor pranë Gjykatës së Lartë paraqitur në KLGJ, depozitimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ për prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rrëzimin e padisë, si dhe ai i KLGJ-së për heqjen dorë nga kërkesa, si aktet ku subjekti i rivlerësimit bazonte kërkesën e tij për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, janë shprehje e qartë dhe e lirë e vullnetit të tij për t'iu shmangur kryerjes së procesit të rivlerësimit”, thuhet në ankim.
Vendimi i KPA u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga:
1- Znj. Ina Rama, kryesuese.
2- Znj. Albana Shtylla, relatore.
3- Znj. Natasha Mulaj, anëtare.
4- Znj. Rezarta Schuetz, anëtar.
5- Z. Sokol Çomo, anëtar.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit