JAPONIA SIGUROI SHBA-ës PËR RRITJEN E SHPENZIMEVE TË MBROJTJES PËR BASHKËPUNIM NË PARANDALIMIN E AGRESIONIT USHTARAK KINEZ.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Oct 29, 2025
- 2 min read

Tokio, Japoni | Pas samitit në Tokio midis Kryeministres Sanae Takaiçi (Takaichi) dhe Presidentit të ShBA-ës Danlld Tramp (Donald Trump), Ministri i ri i Mbrojtjes i Japonisë, Shinjiro Koizumi, i përsëriti Shteteve të Bashkuara vendosmërinë e “Vendit të Diellit që po Lind” për të vazhduar rritjen e shpenzimeve ushtarake në përgjigje të asaj që ai e sheh si sfidat në rritje të sigurisë të paraqitura nga Kina.
Ministri Koizumi u takua me Sekretarin e Luftës të ShBA-ës, Pit Hegsëth (Pete Hegseth), dhe gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas bisedimeve, ai tha se i kishte komunikuar homologut të tij qëllimin e qeverisë japoneze për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së deri në fund të vitit fiskal marsin e ardhshëm, dy vjet përpara objektivit të vendosur më parë.
Ministri Koizumi, i cili, mori detyrën javën e kaluar, njoftoi gjithashtu se Japonia do të përditësojë Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare dhe dy dokumente të tjera kyçe të planifikimit ushtarak në vitin 2026.
Ky do të jetë rishikimi i parë që nga fundi i vitit 2022, që synon forcimin e aftësive të vendit për parandalim dhe reagim.
“Ne shkëmbyem mendime mbi një mjedis sigurie që po përkeqësohet me shpejtësi dhe ndamë këtë vetëdije”, tha ministri Koizumi.
Nga ana e tij, Sekretari i Luftës Hegsëth (Hegseth) hyri direkt në temë, duke e quajtur aleancën dypalëshe thelbësore për pengimin e agresionit ushtarak kinez dhe reagimin ndaj emergjencave rajonale, duke shtuar se përforcimi ushtarak i paparë dhe veprimet agresive të Kinës flasin vetë.
Disa media amerikane raportuan gjithashtu se Shtëpia e Bardhë - e cila e sheh Pekinin si një kërcënim për hegjemoninë e saj në Azi-Paqësor - kishte sugjeruar në mënyrë informale që Tokio të rriste shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së.
Sekretari Hegsëth (Hegseth) gjithashtu përshëndeti nisjen marsin e kaluar të Komandës së Përbashkët të Forcave të Vetëmbrojtjes (SDF), e krijuar për të integruar më mirë komponentët tokësorë, detarë dhe ajrorë të vendit dhe për të përmirësuar bashkëpunimin me ushtrinë amerikane.
Përpjekjet e Uashingtonit për të forcuar Komandën e Përbashkët të Forcave Amerikane në Japoni janë në këtë drejtim, duke siguruar ndërveprim më të madh me SDF-në.
Sipas Traktatit të Bashkëpunimit dhe Sigurisë së Ndërsjellë midis dy kombeve aleate, afërsisht 55 mijë trupa amerikane janë të vendosura në gati 120 baza në arkipelag; përqendrimi më i madh i personelit dhe instalimeve ushtarake amerikane në botë.
Më shumë se gjysma e trupave amerikane janë të vendosura në ishullin e Okinaua-s, 600 kilometra në lindje të Tajvanit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments