top of page
E BARDHË SHIRIT.png

IRANI DO TA MËSOJË NË MËNYRË TË DHIMBSHME SE PUTINI NUK ËSHTË NJË ALEAT TË CILIT MUND T’I BESOHET.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 12 hours ago
  • 4 min read

Nga z. Euen Methjus (Owen Matthews).

Londër, Britani e Madhe | Nëse mullahët e Teheranit shpresojnë që aleati i tyre i supozuar, Vladimir Putini, do t’u vijë në ndihmë momentin e tyre më të vështirë, ata do të zhgënjehen rëndë.


Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragçi (Araghchi), ishte këtë javë në Moskë për të kërkuar mbështetje nga Kremlini.


Putini me mirësjellje e dënoi sulmin amerikan ndaj Iranit si një “agresion absolutisht i paprovokuar” dhe me “asnjë bazë e asnjë justifikim”.


Ai gjithashtu premtoi, në mënyrë të paqartë, se do të “ndihmojë popullin iranian”.


Por, fjalët ka gjasë të jenë e vetmja gjë që iranianët do të marrin nga Moska.


Irani po mëson në mënyrë të dhimbshme se Putini nuk është një aleat tek i cili mund të mbështetesh.


Në janar, me shumë bujë, Putini nënshkroi një traktat “partneriteti gjithëpërfshirës strategjik” me presidentin e Iranit.


Por, ajo që është thelbësore, ky traktat nuk përmban një klauzolë për mbrojtje të ndërsjellë.


Përveç deklaratave mbështetëse për regjimin e rrezikuar iranian, nuk ka asnjë shenjë se Rusia synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm praktikë për të ndihmuar aleatët e saj të supozuar - përveç ndoshta dërgimit të versioneve të prodhuara nga Rusia të dronëve iranianë Shaheed, për të mbushur rezervat e tyre.


Putini bëri të njëjtën gjë me ish-aleatin e tij, presidentin sirian Bashar al-Asad.


Kur trupat rebele iu afruan Damaskut në fund të vitit të kaluar, Moska refuzoi të dërgonte trupa ose më shumë fuqi ajrore për të mbështetur regjimin që po rrëzohej - megjithëse dërgoi një aeroplan të vetëm për të evakuuar Assadin dhe familjen e tij në ekzil në Moskë.


Në vend të kësaj, Putini ka vënë sytë te një përfitim shumë më i madh - të shfrytëzojë konfliktin me Iranin për të rritur pozitën e tij në botë.


Menjëherë pas sulmeve fillestare ajrore të Izraelit, Putini foli me presidentin iranian Masud (Masoud) Pezeshkian, kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe Danlld Trampin (Donald Trumpin).


Ofertat e tij për ata ishin të njëjta - të veprojë si ndërmjetës për të ndihmuar në arritjen e paqes, dhe më vonë për të ndihmuar në hartimin e një marrëveshjeje të re që kufizon programin bërthamor të Iranit.


Qëllimi kryesor strategjik i Putinit është të rikthejë Rusinë në rolin e saj historik si një fuqi globale që mund të qëndrojë përkrah Kinës dhe ShBA-ës.


Nëse për këtë duhet të hedhë poshtë aleancën e tij të brishtë me Iranin, ashtu qoftë.


Kjo nuk është ndonjë befasi.


Marrëdhëniet e Rusisë me Iranin e pas-revolucionit, kanë qenë gjithmonë dyfytyrëshe.


Në momente të ndryshme, gjatë tri dekadave të fundit, Moska e ka ndihmuar Iranin të ndërtojë raketa balistike, i ka shitur sisteme mbrojtëse ajrore dhe aeroplanë luftarakë - pa përmendur ndërtimin e një reaktori civil bërthamor në Bushehr, që u shërben mullahëve si justifikim për pasurimin e uraniumit.


Njëkohësisht, Rusia ka vonuar me vite të tëra furnizimin e Teheranit me sistemet e saj më moderne kundër raketave dhe aeroplanëve luftarakë të teknologjisë së fundit, Su-35.


Dhe, më e rëndësishmja, Rusia ishte një nga nënshkrueset e marrëveshjes bërthamore të Barak (Barack) Obamas të vitit 2015, që hoqi sanksionet në këmbim të një ndalese të programit të armëve bërthamore të Iranit.


E vërteta është se Putini dëshiron të parandalojë një Iran të armatosur me armë bërthamore pothuajse po aq sa edhe Trampi (Trump).


Rusia ndan një kufi detar me Iranin në Detin Kaspik dhe nuk e mirëpret ndërhyrjen iraniane në Kaukaz apo Azinë Qendrore, të cilat, Moska i sheh si oborrin e saj të pasmë.


Ajo që Putini dëshiron më shumë nga lufta ShBA-Izrael kundër Iranit - përveç disa muajve me çmime të larta të naftës, që do t’ia mbushin mirë arkën - është mundësia për të luajtur rolin e ndërmjetësit dhe pajtuesit midis Uashingtonit dhe Teheranit.


Kjo do t’i mundësojë Putinit ta paraqesë luftën në Ukrainë si thjesht një konflikt mes disa të tjerëve që kërkojnë zgjidhje.


Dhe, për sa kohë që Putini po tregohet i dobishëm për Trampin (Trump), bisedat për sanksione të mëtejshme do të harrohen.


Në fillim të sundimit të tij, në vitin 2000, Putini dëshironte fort të kishte vend në tryezën më të rëndësishme të botës si i barabartë me udhëheqësit më të fuqishëm të planetit.


Por, siç pretendon shpesh Putini në fjalimet dhe shkrimet e veta, Perëndimi e injoroi dhe e poshtëroi Rusinë, dhe sistematikisht sponsorizoi ndryshimin e regjimeve në fqinjësinë e saj.


Gabimi më i madh i Rusisë ishte që i besoi shumë Perëndimit, tha Putini në vitin 2022, dhe gabimi më i madh i Perëndimit ishte se “ju e keni menduar këtë besim si dobësi dhe keni abuzuar me të”.


Kjo narrativë e pakënaqësisë ka ushqyer gjithë sjelljen agresive të Putinit që nga pushtimi i Gjeorgjisë në vitin 2008.


Tani, konflikti me Iranin i ka dhënë Putinit një mundësi për të zënë sërish vendin mes të mëdhenjve dhe për të luajtur rolin e liderit të një superfuqie.


Dhe, Irani, ashtu si Siria më parë, nuk është gjë tjetër veçse një figurë në lojën e madhe të Kremlinit për respekt dhe njohje.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Kommentarer

Bedømt til 0 ud af 5 stjerner.
Ingen bedømmelser endnu

Tilføj en rating
bottom of page