top of page
E BARDHË SHIRIT.png

I PENDUARI DËFTEN TË DHËNA MBI VEPRIMTARINË E AGJENTURËS SË KRIMIT ORDINER NË FIER DHE NË VLORË.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Sep 13, 2023
  • 3 min read

Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj.

Tiranë, Shqipëri | Është zbardhur dëshmia e bashkëpuntorit të Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Skerdi Tase, vrasësit me pagesë, i aktivizuar kriminalisht në disa eleminime fizike (vrasje), plagosje dhe ngjarje të rënda kriminale, për llogari të z. Henrik Hoxha, z. Erjon Alibej dhe z. Nuredin Dumani.


Z. Tasi ka dëftyer episode kriminale të ndodhura në Elbasan dhe Fier, të lidhura me grabitje me armë të argjendarive; me marrjen e një automatiku “Skorpions” dhe një motomjeti “Kavasaki” tek z. Aleksandër Baho (i njohur në qarqet kriminale me nofkën Sakati) në Elbasan, me qëllim goditjen e biznesmenit Lulzim Masha; përplasjen e grupeve kriminale në Fier; kultivimin e hashashit në zonën e Patosit dhe Voskopojës në Korçë; implikimin me drogën të një biznesmeni të njohur nga Mallakastra që zotëron një një njësi shërbimi tek “Kodra e Diellit”; përfshirjen e z. Renato Saliu (i njohur edhe si Renato Çami) dhe nipit të këtij të fundit të quajtur Tarjon, në goditjen e z. Agim Boriçi (i njohur edhe si Gim Boriçi ose Aredin Behari.)


Z. Skerdi Tase ka deklaruar se ishte pikërisht Tarjoni ai që informonte z. Henrik Hoxha, për lëvizjet e z. Agim Boriçit.


Për këtë vrasje dhe rolin e z. Renato Saliu, z. Albert Pashaj dhe Tarjonit, z. Henrik Hoxha ka refuzuar të informojë Prokurorinë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila, në shenjë ndëshkimi i hoqi statusin e bashkëpuntorit të drejtësisë, dhe të benifiteve që burojnë nga ky status.


Z. Agim Boriçi rezulton i proceduar për 3 vrasje, dhe 1 tentativë vrasje, të ndodhura në vitet 1994, dhe 1998, në Fier.


Ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim për veprat penale “vrasje me dashje” të z. Ervin Gjini, më 12 prill të vitit 1994.


Vrasje me dashje, të z. Edmond Zefi, të z. Eduard Binxho, dhe “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë të z. Agim Ulaj, e ndodhur më 5 qershor 1998. Për këto krime të rënda, fillimisht z. Agim Boriçi në vitin 2001 është deklaruar i pafajshëm nga gjykata e Fierit, por në muajin janar, të vitit 2008, Gjykata e Apelit Vlorë, e zhbëri vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, dhe e dënoi z. Agim Boriçi me 20 vjet heqje lirie.


Por, më 8 Korrik 2009, u deklarua gjyqësisht i përfundimisht nga një vendim penal i Gjykatës së Lartë.


Z. Skerdi Tase, ka deklaruar se z. Agim Boriçi ishte objektiv sulmi i z. Renato Saliu, dhe i z. Albert Pashaj, me të cilin kishte një histori borxhi financiar, dhe një konflikt të hapur gjyqësor.


Z. Skerdi Tase ka negociuar me qëllim vrasjen e z. Agim Boriçi, edhe me z. Viron Tavanxhiu nga Fieri (ky i fundit, njihet në qarqet kriminale edhe si Viron Kabuci, Viron Tavanxhiu, Erion Prifti).


Në qershor 2017, Tavanxhiu rezulton i dënuar nga gjykata e Korçës me 1 vit burgim për akuzën e “Falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave” më shumë se një herë.


Në muajin tetor të vitit 2020 z. Tavanxhiu është ekstraduar nga Shqipëria në Itali, dhe aktualisht po vuan një dënim me 22 vite heqje lirie, mbështetur mbi një vendim penal të dhënë nga gjykata e Milanos.


Ai akuzohet për vrasjen e një qytetari tunizian, konkretisht të z. Ezzedine Hkiri, dhe plagosjen e qytetarit shqiptar, të quajtur Gentjan Xhepa.


Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page