GREQI | ISH-KRYEMINISTRI ALEKSIS CIPRAS (ALEXIS TSIPRAS) PO PËRGATIT NJË PARTI TË RE E CILA DO TË JETË GATI NË MUAJIN SHTATOR.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 3
- 2 min read
Athinë, Greqi | “Ne do të jemi të pranishëm në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen”.
Kështu tha ish-Kryeministri Aleksis Cipras (Alexis Tsipras) në një intervistë për entin mediatik “ANT1” - duke iu referuar lëvizjes së tij të re politike, e cila, tha se do të jetë gati në shtator, ose më herët nëse është e nevojshme në rast zgjedhjesh të parakohshme.
Ish-Kryeministri Cipras (Tsipras), i cili, qeverisi Greqinë nga viti 2015 deri në vitin 2019 gjatë viteve të trazuara të krizës së borxhit, dha dorëheqjen si president i partisë radikale të krahut të majtë, Siriza (Syriza), në vitin 2023 pas zhgënjimit të fundit zgjedhor.
Pas botimit vjeshtën e kaluar të kujtimeve të tij politike, “Ithaki” (Itaka në greqisht), thashethemet për formimin e një partie të re janë bërë gjithnjë e më këmbëngulëse.
Ai tha se nisma e re politike synon të jetë një pikë takimi për tre rryma historike politike:
1- Të majtën radikale.
2- Demokracinë sociale.
3- Ekologjinë politike.
Ai tha se do të ketë një vizion të qartë me propozime realiste sepse partitë lindin nga nevojat e shoqërisë.
“Kam mësuar nga gabimet e mia; nuk jam më i njëjti Cipras (Tsipras) dhe nuk kam asgjë për të provuar”, tha ai - lidhur me përvojën e tij të mëparshme politike.
Si ish-udhëheqës i së majtës radikale ai sulmoi Kryeministrin aktual konservator, Qirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis), i cili, është vënë nën presion të fortë ditët e fundit nga skandali që përfshinte mashtrime të përhapura në subvencionet e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
“Në rrethana normale, ai duhet të kishte thirrur tashmë zgjedhje të parakohshme. A është e mundur të mbahet një qeveri që tashmë ka dyzet anëtarë, përfshirë zyrtarë qeveritarë, ministra dhe parlamentarë, të cilët, kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre për shkak të skandaleve të ndryshme, të mëdha dhe të vogla, gjatë shtatë viteve”, pyeti ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)








Comments