GJERMANIA DO TË MBAJË PRANINË E SAJ USHTARAKE NË NIGER EDHE PËRTEJ 31 MAJIT 2024.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 30, 2024
- 3 min read
Berlin, Gjermania | Gjermania dhe Nigeri kanë arritur një marrëveshje të përkohshme që lejon praninë e vazhdueshme të forcave gjermane në Niamei (Niamey).
Kjo u bë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Berlinit, pak ditë pasi Bashkimi Evropian njoftoi se do të përfundojë misionin e tij ushtarak në vend deri më 30 qershor 2024.
“Gjermania dhe Nigeri kanë arritur një marrëveshje të përkohshme që lejon vazhdimin e pranisë së forcave gjermane në Niger”, tha ministria gjermane e Mbrojtjes në një deklaratë, duke shtuar se kjo do të lejojë Berlinin të mbajë bazën e transportit ushtarak të hapur me fluturim drejt kryeqytetit të Nigerit.
Gjermania aktualisht ka rreth 90 ushtarë me bazë në Niamei.
Nuk është menjëherë e qartë se cilat janë planet e Berlinit për përdorimin e bazës në Niamei.
Ministria e Mbrojtjes tha se marrëveshja e përkohshme ofron mundësinë për të hyrë në një marrëveshje të re që lejon praninë e forcave gjermane.
Për momentin, ushtria do të operojë bazën me një numër të reduktuar ndjeshëm të ushtarëve, thuhet në deklaratë.
Deri në grushtin e shtetit të 26 korrikut, Nigeri ishte një partner i nivelit të parë i Perëndimit në rajonin e Sahelit kundër ofensivës xhihadiste, megjithatë ngritja në pushtet e një junte ushtarake pro-ruse e detyroi ish-fuqinë koloniale, Francën, të tërhiqte trupat e saj, të ndjekura nga afër nga Shtetet e Bashkuara, të cilat, së fundi ranë dakord me autoritetet nigeriane për tërheqjen e trupave të tyre aktualisht të pranishme në vend, rreth një mijë.
Përveç Francës dhe SHBA-së, më 27 maj të kaluar Këshilli Evropian vendosi gjithashtu të mos zgjasë Misionin e Partneritetit Ushtarak të Bashkimit Evropian në Niger (EUMPM) pas 30 qershorit 2024, duke marrë parasysh situatën aktuale serioze politike në vend.
Misioni - kujton Këshilli në një deklaratë - u krijua në muajin dhjetor të vitit 2022 me kërkesë të ish-autoriteteve të Nigerit për të forcuar kapacitetin e forcave të armatosura të Nigerit për të kontrolluar kërcënimin terrorist, për të mbrojtur popullsinë në vend dhe për të garantuar një siguri dhe mjedis të sigurt në respektimin e ligjeve për të drejtat e njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare.
Kohëzgjatja fillestare e rënë dakord ishte tre vjet.
Në një deklaratë të botuar më 4 dhjetorin e kaluar, Ministri i Jashtëm i Niameit njoftoi synimin e tij për të revokuar marrëveshjen e përcaktuar me BE-në në lidhje me misionin civil evropian të quajtur Eucap Sahel Niger, aktiv që nga viti 2012, dhe i cili aktualisht ka rreth 130 xhandarë dhe oficerë policie të vënë në dispozicion nga shtetet anëtare të BE-së për të kryer veprime.
Përveç misionit Eucap, junta nigeriane ka njoftuar se ka tërhequr pëlqimin e dhënë për vendosjen e Misionit të Partneritetit Ushtarak të BE-së në Niger (EUMPM), aktualisht i udhëhequr nga Italia.
Junta njoftoi gjithashtu synimin e saj për të hequr privilegjet dhe imunitetet e dhëna në kuadër të këtij misioni, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Vendimi u komunikua në të njëjtën ditë që zëvendësministri rus i Mbrojtjes Junus-bek Jevkurov (Yevkurov) ishte për vizitë në Niamei dhe, pasi u ndal në Mali dhe Libi, ai u prit nga lideri i juntës Omar Taçiani (Tchiani) dhe ministri i Mbrojtjes Salifou Modi, të cilit ai nënshkroi një marrëveshje e cila parashikon forcimin e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve, sipas asaj që ndodhi me juntën ushtarake të Malit, një vend tjetër që si Nigeri - dhe fqinji Burkina Faso - ka rrëshqitur në orbitën ruse.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)














