GAZA: IZRAELI GODITI MBI 100 OBJEKTIVA TË HAMASIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 5, 2024
- 4 min read
Gaza | Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) goditën më shumë se 100 objektiva që i atribuohen lëvizjes islamike palestineze Hamas në Rripin e Gazës, gjatë ditës së kaluar.
Këtë lajm e raportoi vetë IDF.
Në Al Bureij, në qendër të Gazës, një avion luftarak i IDF-së sulmoi një ndërtesë, ku me sa duket po shkonin disa anëtarë të Hamasit.
Në Kan Junis (Khan Younis), në jug të Rripit, rezervistët nga Brigada Kiriati (Kiryati) gjetën dhe shkatërruan raketahedhës, duke vrarë shumë anëtarë të Hamasit gjatë disa luftimeve në zonë.
Lindja e Mesme: tension i lartë pas sulmeve në Iran dhe vrasjeve të synuara në Irak dhe Liban.
Sulmi i dyfishtë që i kushtoi jetën të paktën 84 personave (dhe jo 103, siç u njoftua fillimisht nga mediat iraniane) në qytetin Kerman, në juglindje të Iranit, rrit frikën e një përshkallëzimi të luftës së vazhdueshme në Gaza, dhe destabilizimin e të gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.
Metodat e sulmit me bombë, i cili, ndodhi gjatë një ceremonie për të përkujtuar përvjetorin e katërt të vdekjes së gjeneralit iranian Kasem Sulejmani (Qassem Soleimani), komandant i Forcës Kuds (Quds) të Gardianëve të Revolucionit Islamik , i vrarë në një bombardim amerikan, në aeroportin e Bagdadit, më 3 janar 2020, duket se ishte hakmarrje për masakrat e kryera nga grupet terroriste sunite irakiane dhe siriane: nuk është rastësi që i dyshuari kryesor është Shteti Islamik, i cili, në fakt mori përgjegjësinë për sulmin përmes agjencisë së tij propagandistike “Al Furqan”.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Irna”, shpërthimet janë shkaktuar nga kamikazë, dhe jo nga bomba të shpërthyera nga distanca, siç u raportua fillimisht.
Shpërthimi i dytë, i cili ndodhi afërsisht 15 minuta pas të parit, goditi shpëtimtarët dhe njerëzit që ende po iknin, në një përpjekje të qëllimshme për të shkaktuar sa më shumë viktima.
Në Iran, veçanërisht në provincën juglindore të Sistan Baluçistanit (Baluchistan), në të kaluarën kanë ndodhur sulme kundër agjentëve të sigurisë, si shenjë proteste kundër aparatit të Republikës Islamike, të kryera si nga ekstremistët e pakicës sunite, ashtu edhe nga luftëtarët e lidhur me Shtetin Islamik.
Këshilltari i lartë i presidentit Ebrahim Raisi, Mohammad Jamshidi, fajësoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, por, Uashingtoni, tha se nuk kishte asnjë tregues se Izraeli ishte i përfshirë, dhe hodhi poshtë çdo përgjegjësi për sulmin.
Në fakt, megjithëse Izraeli ka kryer sulme në Iran për të synuar ata që janë përgjegjës për programin bërthamor, inteligjenca ka kryer gjithmonë vrasje të synuara, jo vrasje masive si ajo që ndodhi dje.
“Shërbimet e huaja të inteligjencës zakonisht synojnë objektiva që lidhen me zhvillimin e programit bërthamor të Iranit, siç janë udhëheqësit ushtarakë, shkencëtarët, udhëheqësit e forcave të sigurisë, spiunët, e kështu me radhë. Masakrat kanë një kuptim politik shumë të ndryshëm, nëse dëshironi, dhe mbi të gjitha, tregojnë për një strategji terroriste”, tha z. Ticiano (Tiziano) Marino, kreu i zyrës së CeSI-t në Azi-Paqësor.
Nga ana e tij, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah (Ayatollah) Ali Khamenei, premtoi një përgjigje të ashpër ndaj sulmit të Kermanit.
“Kriminelët mizorë duhet ta dinë se tani e tutje ata do të trajtohen ashpër, dhe padyshim që do të ketë një përgjigje të ashpër”, tha Khamenei, në një deklaratë të lëshuar mbrëmë.
Në vitin 2020, Shteti Islamik përshëndeti vdekjen e gjeneralit Sulejmani (Soleimani), milicitë e të cilit luftuan me vite kundër grupit në Irak.
Teza më e mundshme, në pritje të një pretendimi zyrtar, është se sulmi në Kerman ishte vepër e separatistëve arabë, ose grupeve xhihadiste sunite, të cilët, në vitet e fundit, kanë kryer disa sulme kundër civilëve, dhe forcave të sigurisë në vend.
“Gjithçka sugjeron se Shteti Islamik, dhe në veçanti, dega e Azisë Qendrore Is-Khorasan mund të përfshihet. Metodat janë thelbësisht të përputhshme me sulmet e tjera, dhe duket se ka përfshirje të të paktën një kamikazi”, shtoi eksperti i CeSI.
Ai nënvizon se si burimet iraniane të inteligjencës, kishin theksuar tashmë, në muajt e fundit, faktin se varri i gjeneralit, mund të bëhej objektiv i sulmeve të mundshme, nga elementë të lidhur me Daesh.
Vlen të kujtohet, se shtatorin e kaluar, rreth 28 persona, të lidhur me Shtetin Islamik, u arrestuan gjatë planifikimit të një serie sulmesh me bomba në Teheran.
Sigurisht, që masakra në një vend shumë simbolik në Iran, ndodh në një kohë të karakterizuar nga tensione të larta, në të gjithë Lindjen e Mesme, pas sulmit nga lëvizja islamike palestineze Hamas, në Izrael, më 7 tetor 2023, dhe pas operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës.
Në pothuajse tre muaj konflikt, tensioni është përhapur edhe në Libanin jugor, kundër bazave të SHBA-së në Siri, dhe Irak, si dhe në Detin e Kuq, ku rebelët pro-iranianë Huthi vazhdojnë të kërcënojnë tranzitin e cisternave të naftës. dhe anijeve konteiner.
Një zhvillim, ky i fundit, që kërcënon disa vende arabe. si Arabinë Saudite dhe Egjiptin.
Një tjetër episod. që tronditi Lindjen e Mesme, duke sugjeruar më të keqen, ndodhi më pak se 24 orë para sulmit të Kermanit, në periferitë jugore të Bejrutit, Liban.
Në Dahiyeh, një zonë urbane e konsideruar një bastion i lëvizjes shiite Hezbollah, numri dy i Hamasit, Saleh al Arouri, u vra në një sulm, që i atribuohet Izraelit, dhe lidhjes midis lëvizjes palestineze dhe Pasdaranit.
Për më tepër, sot një oficer i lartë i Forcave të Mobilizimit Popullor (PMU, koalicion i milicive irakiane me shumicë pro-iraniane dhe shiite), Abu Taqwa al Saidi, zëvendës komandant i operacioneve në Bagdad, dhe komandant i ish-Brigadës së 12-të, të milicisë shiite irakiane Harakat Hezbollah al Nujaba (Lëvizja e Fisnikëve të Partisë së Zotit), u vra në një sulm ajror (me shumë mundësi të kryer nga Shtetet e Bashkuara), që synonte një seli të PMU, në lindje të kryeqytetit irakian, Bagdad.
Tre episodet (vrasja e Arourit, sulmet në Iran, dhe bombardimet në Bagdad) nuk duket se kanë lidhje, por janë një tregues i tensionit në rritje në një rajon, Lindjen e Mesme, i cili, rrezikon të zhytet në kaos, me pasoja të paparashikueshme në rang global.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)















Comments