top of page
E BARDHË SHIRIT.png

FSHATI YRSHEK, TIRANË | PROKURORIA KËRKOI MASËN E SIGURIMIT “ARREST NË BURG” PËR REI NOZLLIN PËR SHKELJE PENALE TË PARASHIKUAR SI “KANOSJE APO DHUNIMI NDAJ PJESËMARRËSVE NË ZGJEDHJE”; NJOFTIMI ZYRTAR.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 6 hours ago
  • 3 min read

Fshati Yrshek, Tiranë, Shqipëri | Mbështetur mbi kërkesën proceduriale penale të parashtruar nga Prokuroria Tiranë u shqiptua masë sigurimi vetjake “arrest në burg”, ndaj:

1- Z. Rei Nozlli.

 

Zyrtarisht ai është nën hetim penal paraprak për shkelje penale të parashikuar si:

1- Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.


Ai konsiderohet i lidhur me një ngjarje kriminale që ndodhi në fshatin Yrshek, të Njësisë Administrative Kashar, të Bashkisë Tiranë, ku u dhunua fizikisht z. Remzi Memedi (Mehmeti), konkretisht në KZAZ-në me nr.30 në fshatin Yrshek.


Njoftim | Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, shtetasi R. N., u la në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për veprën penale ‘Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’ parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal.

 

Në datën 15.05.2025, në KZAZ nr.30, Kashar, ka qenë duke u zhvilluar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë që kanë garuar në zgjedhjet e përgjithshme të datës 11.05.2025.

 

Rreth orës 14.00, gjatë procesit të numërimit, numëruesi përkatës ka deklaruar të pavlefshme një votë dhe atë moment shtetasi R.N. dhe disa persona të tjerë që ndodheshin me të, kanë reaguar duke bërtitur, duke shprehur mosdakortësinë me këtë vendim të numëruesit.

 

Këta persona qëndronin në ambientet e numërimit të votave dhe ndiqnin procesin, pa patur statusin e vëzhguesit të asnjë subjekti politik.

 

Mbas identifikimit të këtij reagimi, kallëzuesi R.M., në cilësinë e sekretarit të KZAZ nr.30 dhe në ushtrim të detyrës funksionale, u kërkoi të qetësohen, pasi do të mblidhte komisionin dhe do të bënin vlerësimin e votës së kontestuar, por grupi i personave nuk ndaloi dhe vijuan me fjalë fyese.

 

Në këtë situatë, kallëzuesi u kërkoi që të qetësohen, mbasi përndryshe do t’i nxirrte jashtë nga ambienti i numërimit të votave.

 

Menjëherë mbas kësaj, shtetasi R.N. kaloi shiritin e perimetrit të sigurisë dhe shkoi drejt tij duke e goditur me grushta dhe shkelma.

 

Mbas tij shkuan edhe personat e tjerë, por numëruesit që ishin aty afër ndërhynë, duke u munduar që t’i mbajnë fizikisht.

 

Në përfundim të veprimeve paraprake të kryera, u arrestua shtetasi R.N. i dyshuar si autor i veprës penale ‘Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’ parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Neni 329, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë | Neni 329 Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje - Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.5.2017 - Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.


Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të veprimtarisë së tij në administrimin zgjedhor dënohet me burgim nga një vit deri në katër vjet.


Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.


Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page